Sulmet e fundjavës goditën magazinën e një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në Ukrainë dhe fabrikën e një zinxhiri të njohur kafeje, duke shkaktuar dëme kolosale ekonomike
Sulmet me raketa të ushtrisë ruse ndaj kryeqytetit ukrainas gjatë fundjavës kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, me vlerë mbi 100 milionë dollarë, pasi disa prej bizneseve më të rëndësishme të vendit u goditën drejtpërdrejt.
Një nga raketat që ra më 25 tetor shkatërroi tërësisht magazinën qendrore të kompanisë farmaceutike Optima-Pharm, me një sipërfaqe prej 29 mijë metrash katrorë. Financieri i kompanisë, Artem Suprun, deklaroi për Forbes Ukraina se goditja, e dyta për këtë vit, dëmtoi rëndë edhe zyrat e kompanisë, megjithëse nuk pati viktima.
Në të njëjtin sulm, një tjetër objektiv u bë fabrika e prodhimit të Idealist Coffee, një prej markave më të njohura të kafesë në vend. Kompania njoftoi në rrjete sociale se objektet e saj u shkatërruan plotësisht dhe se po vlerëson shkallën e plotë të dëmeve.
Sulmet ndodhën në një periudhë ku Rusia ka intensifikuar goditjet kundër Ukrainës, me synimin për të dëmtuar infrastrukturën energjetike para dimrit. Këtë vit, për herë të parë, janë shënjestruar edhe objektet e prodhimit të gazit, duke përkeqësuar situatën ekonomike të vendit.
Vetëm javën e kaluar, Moska kreu tre sulme ndaj Kievit, ku u përdorën raketa dhe dronë, duke shkaktuar të paktën pesë viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas të dhënave të Shkollës së Ekonomisë në Kiev, që prej fillimit të pushtimit të plotë, rreth 500 biznese të mëdha dhe të mesme janë goditur nga sulmet, duke sjellë pasoja të rënda për ekonominë e luftës.
Ndërkohë, kompanitë private, ndryshe nga qytetarët që përfitojnë nga kompensimet shtetërore, nuk marrin dëmshpërblim dhe detyrohen të rindërtojnë me burimet e tyre.
Optima-Pharm, me një të ardhur prej 1.6 miliardë dollarësh në vitin 2024, renditet ndër 15 kompanitë më të mëdha të Ukrainës, ndërsa Idealist Coffee, e themeluar në vitin 2019 nga drejtori i Naftogaz, Serhiy Koretsky, furnizon operatorin shtetëror të hekurudhave dhe disa prej kafeneve më të frekuentuara të Kievit.
Sulmet e fundit janë një tjetër goditje ndaj sektorit privat ukrainas, i cili prej tre vitesh mban peshën e një lufte që po dëmton rëndë ekonominë dhe zinxhirët e furnizimit të vendit.
