
Ish-deputeti demokrat shprehet se zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet janë një test politik për opozitën dhe një mundësi për ndryshim pas viteve të sundimit autokratik
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të kandidonte për postin e kryebashkiakut të Tiranës, nëse do t’i jepej mundësia, por theksoi se ligji ia ndalon këtë, për shkak të dënimit që ka marrë nga drejtësia.
Salianji u shpreh se pavarësisht se nuk mund të garojë, ai mbështet fuqishëm kandidaturën e aktorit Florjan Binaj, duke e quajtur një kandidaturë të jashtëzakonshme dhe një shans real për opozitën në Tiranë.
“Sigurisht që do të kandidoja për Bashkinë e Tiranës, po të ma ofronin. Por ju e dini që mua ma ka ndaluar ligji. Florjan Binaj është një kandidat i jashtëzakonshëm. Këto zgjedhje janë më shumë se një garë për qytetin, janë një betejë politike dhe një mundësi e rrallë që opozita të fitojë në një kryeqytet ku kanë sunduar autokratët”,-u shpreh ai.
Sipas Salianjit, zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës janë një moment i rëndësishëm për opozitën, e cila mund të rikthejë besimin e qytetarëve përmes një kandidati që nuk vjen nga strukturat klasike të partive.
“Një kandidat që nuk është i lidhur me asnjë politikë të caktuar, që nuk ka detyrime partiake, i jep mundësinë çdo qytetari të votojë lirshëm. Tiranës i duhet një frymë e re, një ndjesi lirie dhe barazie në pushtet,” -tha ish-deputeti demokrat.
Salianji e përmbylli duke theksuar se fitorja në kryeqytet do të ishte një sinjal i fortë politik kundër modelit të qeverisjes aktuale, të cilin ai e quajti autokratik dhe të përqendruar në duar të pakta.