Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar para takimit me strukturat e PD-së në Durrës, duke iu përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e cilësoi takimin si “për qëllime private”.
Salianji theksoi se salla në Durrës është e mbushur plot, çka sipas tij tregon interesin e madh për ringritjen e PD-së. Ai deklaroi se do të jetë i pranishëm në çdo takim me demokratët për të dëgjuar shqetësimet dhe idetë e tyre se si PD mund të rikthehet si alternativa që mund të mundë Edi Ramën.
Sipas tij, në takimin e Durrësit marrin pjesë të gjitha strukturat e PD-së, përfshirë edhe figura të votuara që nuk kanë pasur më parë përfaqësim në organet drejtuese.
“Është menduar nga organizatorët që ky të jetë një format ku flitet hapur dhe qartë, për të çuar mendimet atje ku duhet,” – shtoi ai. Salianji e përmbylli deklaratën duke theksuar se i vetmi qëllim i këtyre takimeve është ringritja dhe zgjimi i Partisë Demokratike.
“Është salla plot. Ka edhe njerëz jashtë. Është me shumë rëndësi që cilido prej politikanëve, sidomos ata të PD-së, të kthehen te njerëzit. Te kafenetë, te takimet, që të bëjmë të mundur zgjimin e PD-së dhe ngritjen e saj. Do të jem në çdo takim të demokratëve, për t’i dëgjuar njerëzit dhe për të ndarë mendimet se si PD mund të bëhet alternativë që mund ta mundë Edi Ramën.
Në këtë takim janë të gjitha strukturat e PD-së. Janë lista më e votuar e PD-së në Durrës. Janë njerëz që nuk kanë pasur përfaqësim për të qenë pjesë e strukturave. Ne kemi menduar, ashtu si edhe organizatorët, që të jetë një format ku të flitet hapur dhe qartë, për të çuar mendimet atje ku duhet.
Qëllimi i çdo takimi është ringritja dhe zgjimi i PD-së. Ky është i vetmi qëllim imi!”, tha ai.
