Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një intervistë për emisionin “Opinion”, shpjegoi arsyet pse ka nisur takimet me demokratët e bazës, duke adresuar një sërë kritikash ndaj drejtimit aktual të PD-së dhe mënyrës së reagimit politik.
Salianji u ndal veçanërisht tek mënyra e protestës së PD-së, duke thumbuar kryedemokratin Sali Berisha. Ai deklaroi se Edi Rama nuk mund të largohet nga posti i kryeministrit me “fjalime dhe muzikë poshtë zyrës”, duke iu referuar foltoreve të së hënës.
“Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës, duke folur e duke vënë muzikë para Ramës. Popullit i vodhën zgjedhjet a dihet të protestojnë. Nëse nuk kemi fuqi e nuk e kemi bërë është problemi jonë. Unë nuk jam te ata që të them gjithë kohën që vodhën e të vij të qaj këtu tek ju. Narrativa që ka sot PD që thotë se Rama nuk mundet me zgjedhje është demotivuese për qytetarët. U bënë primarët u vendos që kandidatët për primarët do të dilnin nga primaret. U zgjidh deputet ai që doli i pari në Tiranë, në Kukës, Elbasan, jo. O vendosim kriter votën ose vendosim përgjegjësin e atij që vendos. Demotivohet struktura kur ne themi një gjë e bëjmë gjë tjetër, a ka mundësi që një parti politike të mos takojë 7 muaj qytetarët. Keni parë ju që të bëjnë një takim në 7 muaj në Durrës? Asnjë takim të vetëm. Keni parë që të bëjnë një takim në Durrës pas zgjedhjeve, asnjë takim. Unë e kam me parimin se parimi është më i rëndësishëm se sa emrat. Pse PD doli tani në foltore pasi piva kafe unë, e ka vendosur në lëvizje. Këto takime kanë prodhuar energjizim”, tha Salianji.
Ish-deputeti demokrat gjithashtu theksoi se Partia Demokratike nuk po i përgjigjet nevojës për ndryshim dhe se anëtarësia ka kërkesa të qarta për analizë dhe riorganizim. Sipas tij, mungesa e meritokracisë dhe mosmotivimi i strukturave po dobësojnë partinë.
