Ish-deputeti Ervin Salianji, nga Korça ku mbajti takimin e radhës me strukturat demokrate, theksoi se vetëm një Parti Demokratike e ripërtërirë mund të sjellë ndryshimin që kërkojnë qytetarët
Ai theksoi se SPAK po e “shkatërron” qeverinë dhe pjesët e saj, duke iu referuar goditjeve të fundit, siç ishte marrja si e pandehur e zëvendës kryeministres Belinda Balluku. Por, siç shtoi Salianji, drejtësia ngre akuza, ndërsa duhet të jetë politika ajo që duhet t’i japë zgjidhje.
“Falë SPAK, qeveria po i humb pjesët e saj një e nga një. Të dashur miq, drejtësia ngre vetëm akuza, politika i propozon dhe i jep zgjidhje dhe ne duhet t’i japim zgjidhjet. Zgjidhjet në Shqipëri si kudo në botë kalojnë ose nëpërmjet shesheve dhe në fund nëpërmjet kutive të votimit prandaj ne duhet të frymëzojmë dhe bashkojmë njerezit. Prandaj e sotmja është një mesazh për ne dhe PD se njerëzit presin më shumë, të dëgjojnë më shumë dhe padiskutime ta dimë që demokratët janë më shumë se anëtarësia e PD, se shqiptarët janë më shumë se demokratët, dhe se PD është bërë fituese vetëm kur ka respektuar vullentin demokratëve dhe është bërë zëri i shqiptarëve.”, tha ish deputeti
Duke përsëritur sërish nevojën për bashkim dhe hapje të PD-së, Salianji theksoi se është e nevojshme rrotacioni politik dhe “t’i ngrenë lart kokën Shqipërisë”.
“PD duhet të bashkohet, hapet dhe ripërtërihet. Ta lëmë pas të shkuarën dhe të frymëzojmë shqiptarët për t’u bashkuar drejt të ardhmes. Vetëm një PD e ripërtërirë mund ta nxjerrë vendin nga kjo krizë dhe ta udhëheqë ndryshimin e shumëpritur. Ne duhet të fitojmë dhe kjo është përgjegjësi historike për secilin prej nesh. Duhet ta marrim pushtetin jo vetëm si detyrim për t’i ngritur kokën lart Shqipërisë, për të sjellë më shumë energji kujdes e pasion. Për të sjellë normalitetin edhe frymëmarrjen edhe te gjeneratat e reja.”, u shpreh ish deputeti.
