
Samiti urgjent në Bruksel tregon se Evropa kërkon unitet dhe qëndrim të fortë edhe pas zbutjes së krizës transatlantike
Liderët e Bashkimit Europian u mblodhën mbrëmjen e së enjtes në Bruksel për një samit të jashtëzakonshëm, të thirrur në një moment kur tensionet me Shtetet e Bashkuara kishin marrë një kthesë të papritur. Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se kishte hequr dorë nga përpjekjet për të marrë nën kontroll Groenlandën dhe njëkohësisht kishte tërhequr kërcënimin për vendosjen e tarifave të reja doganore ndaj disa vendeve europiane.
Megjithatë, në kryeqytetin belg, mesazhi ishte i qartë: kriza mund të jetë zbutur, por pasiguria mbetet. Sipas burimeve europiane, ndryshimet e shpejta të qëndrimit nga Uashingtoni e bëjnë të domosdoshme që vendet anëtare të diskutojnë se si ta lexojnë këtë realitet të ri dhe si të përgatiten për çdo zhvillim të ardhshëm.
Në Bruksel, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen theksuan rëndësinë e unitetit europian. Për disa kryeqytete, tërheqja e Tramp shihet si rezultat i një qëndrimi të fortë dhe kërcënimit me masa kundërpërgjigjeje. Për të tjerë, ajo vërteton se shmangia e përshkallëzimit dhe hapja e rrugës për negociata ishte strategjia e duhur.
Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, mesazhi i samitit ishte se Europa nuk duhet të relaksohet. Kërcënimi i tarifave tregtare është vetëm pezulluar dhe jo përjashtuar përfundimisht, ndërsa marrëdhëniet transatlantike mbeten të brishta.
Brukseli synon të ruajë një qëndrim të përbashkët dhe të jetë gati për t’u përballur me çdo presion të ri nga ana amerikane, duke e mbajtur të hapur dialogun, por edhe duke mos hequr dorë nga instrumentet e mbrojtjes ekonomike dhe politike.
