
Shpërthimi fatal trondit Sarandën në mesnatë; 58-vjeçari i njohur për precedentë penalë ndërron jetë në atentatin e dytë ndaj familjes së tij.
Një shpërthim i fuqishëm tronditi Sarandën pak minuta para mesnatës, duke i marrë jetën 58-vjeçarit Isuf Jaçaj, një emër i njohur për policinë dhe me të kaluar penale. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se shpërthimi ndodhi në automjetin tip fuoristradë ku ndodhej viktima, ndërsa trupi i tij u gjet i pajetë brenda mjetit të shkatërruar plotësisht.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë qenë një atentat i mirëorganizuar, pasi në automjet ishte vendosur një sasi e konsiderueshme lënde plasëse që shpërtheu në momentin e ndezjes. Fuqia e eksplozivit ka shkaktuar dëme të mëdha materiale edhe në disa biznese pranë vendngjarjes dhe në një makinë të parkuar aty afër.
Policia dhe njësitë anti-eksploziv kanë blinduar zonën dhe po punojnë për të rindërtuar skemën e atentatit. Ndërkohë, paralelizmat me ngjarjet e korrikut janë të pashmangshme: djali i viktimës, Klaus Jaçaj, ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për përkrahje të autorëve në një ngjarje ku u plagosën me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar.
Vetëm pak ditë pas asaj ngjarjeje, më 21 korrik 2025, një person i maskuar kishte vendosur eksploziv në automjetin e Klaus Jaçajt, duke e shkatërruar plotësisht. Ajo çështje nuk u zbardh kurrë dhe sot historia duket se është përsëritur, këtë herë me fund tragjik.
Hetimet janë përqendruar në pistën e hakmarrjes dhe zinxhirit të përplasjeve që duket se ka përfshirë këtë familje, ndërsa autoritetet po analizojnë lidhjet mes dy ngjarjeve të ndodhura brenda pak muajsh në të njëjtin qytet.
Një burim nga policia e Vlorës e përshkroi ngjarjen si një atentat me mesazh të qartë dhe me ekzekutim profesionist, duke lënë të kuptohet se pas krimit mund të fshihet një rrjet më i gjerë i konflikteve kriminale në zonë.