
Në rendin e ditës, raportime nga disa institucione shtetërore, ndërsa opozita paralajmëron përplasje për mungesën e masave në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00 në një seancë plenare që do të nisë me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, i cili u vra tragjikisht dy ditë më parë gjatë një seance gjyqësore. Atmosfera pritet të jetë e ngarkuar, pasi opozita ka kërkuar zhvillimin e një debati urgjent për sigurinë në gjykata, pas ngjarjes që tronditi sistemin e drejtësisë.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka depozituar kërkesën për diskutim të menjëhershëm mbi mungesën e masave të sigurisë në institucionet e drejtësisë dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Brendshme, pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja.
Në rendin e ditës të seancës së sotme janë parashikuar raportime nga disa institucione të rëndësishme shtetërore, ndër to Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP), Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Enti Rregullator i Ujit (ERRU). Për çdo raportim pritet që të ketë prezantim, debat dhe votim të projektrezolutave përkatëse.
Në orën 09:30 do të zhvillohet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të përcaktojë kohën e diskutimeve për çdo institucion. Por burime nga opozita bëjnë me dije se pjesa më e madhe e deputetëve do të kërkojnë që seanca të fokusohet në çështjen e sigurisë në gjykata, duke e cilësuar atë si krizë institucionale që kërkon reagim të menjëhershëm politik dhe ligjor.
Kujtojmë se në seancën e kaluar të 29 shtatorit, demokratët kërkuan debat mbi programin qeverisës, por mazhoranca zgjodhi ta shmangte përplasjen, duke i dhënë fjalën deputetëve të rinj të saj.
Këtë herë, pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, përballja pritet të jetë më e fortë, me opozitën që kërkon llogari për dështimin e shtetit në mbrojtjen e njerëzve të drejtësisë dhe mazhorancën që tenton të ruajë tonin institucional të seancës.