
Pas dorëheqjes së Lecornu dhe përçarjeve mes aleatëve, Parisi përballet me tensione të forta politike, ndërsa presidenti Macron përpiqet të shmangë një shpërbërje të qeverisë.
Kriza politike në Francë thellohet çdo orë. Sébastien Lecornu, ish-ministri i Mbrojtjes, i cili përkohësisht mbante edhe detyrën e kryeministrit, ka dorëzuar dorëheqjen e tij zyrtare në mëngjesin e së hënës para presidentit Emmanuel Macron, i cili e ka pranuar. Macron e ka ngarkuar Lecornu të formojë deri të mërkurën në mbrëmje një platformë veprimi dhe stabiliteti, për të shmangur një shpërbërje totale të koalicionit qeverisës.
Megjithatë, Lecornu nuk dëshiron të rikthehet në postin e kryeministrit, edhe nëse bisedimet rezultojnë të suksesshme. Ai pritet të zhvillojë një seri konsultimesh me drejtues politikë në Matignon dhe në Senat, në përpjekje për të gjetur një kompromis mes republikanëve dhe kampit presidencial.
Deklaratat e figurave të larta politike nxjerrin në pah një mosbesim të thellë ndaj mënyrës së qeverisjes së Macron.
Ish-kryeministri Gabriel Attal tha se nuk e kupton më vendimmarrjen e presidentit dhe e akuzoi atë se po këmbëngul të mbajë kontrollin e plotë. Ai kërkoi që presidenti të ndajë pushtetin dhe të gjejë një kompromis buxhetor përpara formimit të kabinetit të ri.
Nga ana tjetër, Marine Le Pen i kërkoi Macron ose të japë dorëheqjen, ose të shpërndajë Asamblenë Kombëtare, duke e cilësuar situatën si të pashmangshme për një zgjidhje demokratike.
Nga krahu i majtë, Partia Socialiste dhe të gjelbërit janë shprehur të gatshëm për Matignon, ndërsa udhëheqësi socialist Olivier Faure kërkoi një ndryshim të thellë kursi politik, përndryshe Franca do të përballet me të njëjtat dështime.
Në të njëjtën linjë, Boris Vallaud deklaroi se e majta është e hapur për kompromis, por pa praninë e partisë radikale të Jean-Luc Mélenchon (LFI), duke refuzuar çdo tryezë ku ajo merr pjesë.
Nga krahu i djathtë, kreu i republikanëve Bruno Retailleau ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e përbashkët të koalicionit qeverisës, duke kërkuar një takim dypalësh me Lecornu. Ndërsa eurodeputeti François-Xavier Bellamy i ka bërë thirrje Macron të heqë dorë nga qeverisja e drejtpërdrejtë dhe të lejojë një bashkëjetesë reale për të shmangur paralizën institucionale.
Midis presionit nga e majta që kërkon ndryshim, e djathta që kërkon bashkëqeverisje dhe nga ekstremi që kërkon zgjedhje të parakohshme, Emmanuel Macron ndodhet përballë njërës prej krizave më të rënda politike të mandatit të tij të dytë.
Nëse “platforma e stabilitetit” që pritet të prezantohet brenda dy ditësh dështon, Franca mund të përballet me një valë të re përplasjesh politike ose me një tjetër zgjedhje parlamentare.