
Kryeministri në detyrë u përpoq deri në fund të gjejë një zgjidhje politike, ndërsa Macron përgatitet të emërojë pasuesin e tij brenda 48 orëve
“Misioni im ka përfunduar.” Me këto fjalë, Sébastien Lecornu mbylli dy ditë të mbushura me tension politik, konsultime të ethshme dhe përpjekje të fundit për të shmangur shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare franceze. Në intervistën e mbrëmjes të së mërkurës në France 2, kryeministri në detyrë pranoi se një rrugë është ende e mundur, edhe pse e vështirë, duke lënë të kuptohet se Presidenti Emmanuel Macron po kërkon një dalje të moderuar nga kriza institucionale që ka përfshirë Francën.
Lecornu, i cili dorëzoi zyrtarisht dorëheqjen e tij pas humbjes së shumicës parlamentare, theksoi se në Asamble ka një shumicë absolute që refuzon shpërbërjen. Ai shtoi se presidenti mund të emërojë një kryeministër të ri brenda 48 orëve, përpara se të paraqitet buxheti i vitit 2026, të hënën e ardhshme. “Kemi pak kohë për të gjetur ekuilibrin e duhur,” -tha ai, duke iu referuar presionit të brendshëm në Elysee dhe në Matignon.
Përpara daljes në televizion, Lecornu u takua me Emmanuel Macron në pallatin presidencial për t’i raportuar mbi ciklin e fundit të konsultimeve politike me drejtuesit e grupeve parlamentare. Koreografia mes Elysee dhe Matignon ishte qartësisht e koordinuar: kryeministri duhej të përpiqej të nxirrte një zgjidhje politike përpara se vendimi final të kalonte sërish në duart e presidentit.
Në orët e fundit të mandatit të tij, Lecornu shmangu çdo njoftim për pezullimin e reformës së pensioneve, një kërkesë e fortë nga e majta dhe sindikatat, duke mbetur i përmbajtur dhe i kujdesshëm. “Asnjë vendim i tillë nuk është marrë,” -deklaroi ai, duke ruajtur një ton të moderuar që synon të mbajë të hapur rrugën për një kompromis institucional.
Në kampin presidencial, burime pranë Elysee pranojnë se vendimi për emërimin e kryeministrit të ri do të jetë delikat dhe politikisht i ndjeshëm, pasi Franca ndodhet në një moment të brishtë: me një opozitë të fortë në të dy krahët dhe një opinion publik gjithnjë e më skeptik ndaj reformave të Macron.
Sipas analistëve, përpjekja e Lecornu për të shpëtuar mandatin ishte një garë kundër kohës, ku çdo orë ka peshë. Ai u përpoq deri në fund të ruajë stabilitetin institucional, por situata i shpëtoi kontrollit.
Ndërsa Elysee premton se një kryeministër i ri do të emërohet brenda së premtes, Franca mbetet në pritje të një sinjali të qartë për drejtimin që do të marrë qeverisja e ardhshme, midis konsensusit të vështirë dhe rrezikut të një shpërbërjeje të re parlamentare.