Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar rreth 4 milionë euro pasuri të shtetasit P.C. dhe familjarëve të tij, të cilët janë nën hetim për dy vepra penale: “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara në nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 25 të vitit 2023 çuan në bllokimin e një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë prona, ndërtesa, njësi shërbimi, biznese dhe tokë truall, të gjitha me vlerë totale rreth 4 milionë euro.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
Truall 1600 m² në Vlorë, në emër të P.C.;
Bodrum 841.75 m² në emër të F.C.;
Njësi shërbimi me sipërfaqe 112.82 m², 36.14 m², 59.5 m², 47.27 m², 97.42 m², të gjitha në emër të F.C.;
Dy apartamente me sipërfaqe 72.36 m² dhe 89.90 m², në emër të shoqërisë “F” shpk;
Dy njësi shërbimi të mëdha me sipërfaqe 324.17 m² dhe 318.16 m², në emër të F.C.;
Një ndërtesë 115 m² në Vlorë, në emër të F.C.
Prokuroria e Vlorës vijon hetimet për zbardhjen e origjinës së pasurive dhe verifikimin e mundshëm të veprimtarive të paligjshme që mund t’i kenë gjeneruar ato.
