
Operacioni “Manovra” ekspozon pasuritë e dyshimta të 34-vjeçarit, i dënuar më parë për grabitje nën kërcënimin e armës
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Manovra”, i cili kishte në fokus gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale. Në kuadër të këtij aksioni, u sekuestrua një automjet luksoz “Lamborghini Urus”, me vlerë rreth 160 mijë euro, në përdorim të Sahit Shpatajt, 34 vjeç.
Hetimet treguan se Shpataj kishte regjistruar makinën në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin financiar dhe për të justifikuar vlerën e saj. Për këtë arsye, përveç tij është vendosur në hetim edhe pronari i subjektit tregtar që figuron si pronar i mjetit.
Policia paralajmëron se hetimet do të shtrihen edhe mbi pasuri të tjera të Shpatajt, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktivitete kriminale.