
Këngëtarja e famshme ka nisur përgatitjet për martesën me sportistin Travis Kelce, duke përzgjedhur mikeshat më të afërta në rolin e shoqeve të nuses.
Taylor Swift ka hyrë zyrtarisht në fazën e organizimit të dasmës dhe hapi i parë ka qenë përzgjedhja e shoqeve të nuses. Sipas mediave amerikane, këngëtarja ka vendosur që Selena Gomez dhe modelja Gigi Hadid të jenë pjesë kryesore e ceremonisë, si shoqet e saj të ngushta.
Raportimet tregojnë se Swift i ka bërë kërkesën Gigi Hadid gjatë një darke private në New York, ku modelja është surprizuar dhe ka pranuar menjëherë. Pak ditë më vonë, e njëjta ftesë i është dërguar edhe Selena Gomez, e cila veç miqësisë me Taylor, ka edhe përvojë të freskët në organizimin e një dasme, pasi u martua me producentin Benny Blanco këtë vit.
Burime pranë këngëtares thonë se Swift dëshiron që përgatitjet të jenë një proces i mbushur me kujtime, udhëtime dhe momente të veçanta me mikeshat e saj. Përveç Gomez dhe Hadid, në rrethin organizues po përmenden edhe emra si Sabrina Carpenter dhe Ashley Avignone, çka ka nxitur thashetheme se pjesa tjetër e “skuadrës së nuses” po formohet gradualisht.
Taylor Swift dhe ylli i futbollit amerikan Travis Kelce u fejuan në gusht, pas dy vitesh lidhje. Ata pritet të kurorëzojnë martesën në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa media amerikane raporton se destinacioni më i mundshëm është rezidenca e Swift në Rhode Island, me vlerë mbi 17 milionë dollarë.
Çifti nuk ka bërë ende një njoftim publik për datën e dasmës, por përgatitjet duket se kanë nisur me ritëm.
