

Ndryshimi i rregullave lejon aprovimin në bllok të emërimeve të nivelit të ulët, duke i dhënë një fitore të rëndësishme administratës Trump
Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar 48 kandidatë të propozuar nga Presidenti Donald Trump për poste qeveritare, pas një ndryshimi të fundit në rregullore që lejon miratimin në bllok të emërimeve të nivelit më të ulët, në vend të shqyrtimit individual.
Mes emërimeve të rëndësishme të miratuara të enjten spikasin Kimberly Guilfoyle, ish-prezantuese e FOX News dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr., e cila do të shërbejë si ambasadore e SHBA në Greqi, si dhe Callista Gingrich, bashkëshortja e analistit konservator Newt Gingrich, e cila është caktuar ambasadore në Zvicër dhe Lihtenshtein, pasi më parë kishte shërbyer si ambasadore në Vatikan gjatë mandatit të parë të Trump-it.
Senati i kontrolluar nga republikanët ka miratuar gjithashtu dhjetëra emërime në departamente kyçe si Mbrojtja, Energjia, Puna dhe Brendshëm, përfshirë edhe ambasadorët e rinj të SHBA në Argjentinë dhe Suedi. Media amerikane e ka cilësuar këtë një fitore të rëndësishme për administratën Trump, e cila ka hasur vështirësi në miratimin e mbi 100 kandidatëve për shkak të kundërshtimeve të demokratëve.
Kryetari i shumicës në Senat, John Thune, deklaroi se votimi masiv u bë i mundur falë ndryshimit të rregullave javën e kaluar, i cili u ndërmor për të kapërcyer bllokimin historik të demokratëve. Sipas rregullave të reja, mjafton një shumicë e thjeshtë për të kaluar emërimet e nivelit të ulët, ndërsa për postet e nivelit të lartë, përfshirë kabinetin qeveritar dhe gjykatat, procedurat mbeten të pandryshuara.
Miratimi i këtyre emërimeve ka nxitur debat të ashpër në Uashington. Thune theksoi se Trump është presidenti i parë në historinë amerikane që nuk ka pasur asnjë kandidat civil të konfirmuar me votë unanime, duke akuzuar demokratët se po e vonojnë procesin qëllimisht. Përplasja u ashpërsua muajin e kaluar, kur Trump, gjatë pushimit të Senatit, i tha liderit demokrat Chuck Schumer të “shkojë në ferr”, pas kundërshtimeve të këtij të fundit ndaj kandidatëve të propozuar nga republikanët.
Votimi në bllok i 48 emërimeve shënon një pikë kthese në përplasjen politike në Uashington, duke forcuar ndikimin e Trump-it mbi administratën, ndërsa demokratët përpiqen të përdorin çdo mjet procedural për të bllokuar kandidaturat që i konsiderojnë historikisht të papërshtatshme.