
Hetimi administrativ mbi vjedhjen e bizhuterive në muze më 19 tetor pritet të zbulohet këtë të mërkurë, ndërsa raporti sekret ngre shqetësime për mangësi serioze në sistemin e sigurisë.
Pas grabitjes së bizhuterive në muzeun e Louvre më 19 tetor, ministrja e Kulturës Rachida Dati urdhëroi një hetim administrativ të detajuar për të zbardhur mënyrën se si ndodhi ngjarja brenda pak minutash. Edhe pse kanë kaluar shtatë javë, raporti ende nuk është bërë publik, me arsyetimin se përmbajtja e tij është tepër sensitive.
Në pritje të dëgjimit nesër të drejtuesve të Inspektoratit të Çështjeve Kulturore dhe misionit të sigurisë pranë Ministrisë së Kulturës, anëtarët e Komisionit të Kulturës në Senat kanë marrë qasje të kufizuar në dokument. Raporti mund të lexohej vetëm brenda një zyre të posaçme, pa telefona dhe pa të drejtë fotografimi, çka dëshmon peshën e informacionit që përmban.
Sipas burimeve mediatike, raporti pritet të evidentojë një zinxhir mangësish dhe dështimesh në sistemin e ruajtjes, duke ngritur pikëpyetje mbi transmetimin e të dhënave, monitorimin me kamera dhe reagimin e ekipeve të sigurisë në momentet kritike. Senati pritet të kërkojë shpjegime mbi atë që ndodhi në minutat ku grabitësit arritën të largohen me vlerat nga zemra e muzeut më të famshëm në botë.
Publikimi i plotë i raportit pritet të tensionojë debatin për sigurinë e institucioneve kulturore në Francë, ndërsa opinioni pret sqarime mbi defektet dhe përgjegjësitë e mundshme.
