
Pauline Hanson ndërpret punimet për më shumë se 90 minuta, kritikët paralajmërojnë rritje të islamofobisë dhe rrezik për gratë myslimane
Një incident i pazakontë tronditi Senatin australian pasi senatorja e One Nation, Pauline Hanson, hyri në sallë e veshur me burka, si pjesë e fushatës së saj për ndalimin e mbulimit të fytyrës. Veprimi i saj solli ndërprerjen e menjëhershme të seancës, e cila u pezullua për më shumë se një orë e gjysmë, pasi Hanson refuzoi të largohej nga salla.
Kryetarja e senatit Sue Lines u detyrua të pezullojë punimet dhe më pas sanksionoi Hanson me ndalim hyrjeje për pjesën e mbetur të ditës. Seanca u rifillua vetëm pas largimit të saj, në atë që konsiderohet pezullimi më i madh i punimeve që nga viti i kaluar.
Pas incidentit, Hanson akuzoi kolegët se po pengonin prezantimin e projektligjit të saj, ndërsa reagimet nuk munguan. Senatorja e pavarur Fatima Payman e quajti veprimin provokim të papranueshëm dhe mungesë respekti ndaj institucionit. Ndërkohë, i dërguari kundër islamofobisë, Aftab Malik, paralajmëroi se retorika e Hansonit rrit rrezikun e dhunës ndaj grave myslimane dhe nxit tensione të panevojshme.
Ky është episodi i dytë kur Hanson futet në parlament me burka, pasi një akt të ngjashëm kishte kryer edhe në vitin 2017, duke rikthyer debatet e forta për islamofobinë dhe kufizimet ndaj veshjeve fetare në Australi.
