Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun, ranë dakord të krijojnë linja të drejtpërdrejta komunikimi për të shmangur përplasjet mes forcave të dy vendeve në rajonin e Indo-Paqësorit, pas samitit historik mes Donald Tramp dhe Xi Jinping.
Pas viteve tensioni dhe ndërprerjesh diplomatike, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të rikthejnë komunikimin e drejtpërdrejtë mes ushtrive të tyre. Lajmin e bëri publik sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili konfirmoi marrëveshjen pas një bisede telefonike me homologun e tij kinez, Dong Jun.
Sipas Hegseth, dy ministrat ranë dakord të vendosin kanale ushtarake për të shmangur përplasjet dhe për të ulur rreziqet e përshkallëzimit, një vendim që erdhi menjëherë pas takimit Trump–Xi në Korenë e Jugut, i cilësuar si historik.
Ekspertët e sigurisë e kanë përshëndetur këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se mungesa e komunikimit ka qenë ndër faktorët kryesorë që kanë shtuar rrezikun e incidenteve në Detin e Kinës Jugore dhe në ngushticën e Tajvanit.
Që prej vitit 2022, kontaktet ushtarake midis dy vendeve ishin ndërprerë pas vizitës së ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në Tajvan, një lëvizje që Pekini e konsideroi provokim të rëndë.
Tensionet u shtuan me incidentet e rrezikshme mes avionëve dhe anijeve luftarake amerikane dhe kineze në ujërat e kontestuara. Në disa raste, avionë kinezë iu afruan në mënyrë të rrezikshme fluturimeve amerikane të zbulimit, ndërsa një anije luftarake kineze i preu rrugën një shkatërruesi amerikan në 2023.
Megjithatë, pas kthimit të Donald Tramp në Shtëpinë e Bardhë dhe samitit të fundit me Xi Jinping, dy superfuqitë duket se po përpiqen të rivendosin kanalet e bashkëpunimit. Tramp ka ulur tarifat ndaj mallrave kineze nga 57% në 47%, ndërsa Pekini ka premtuar të ruajë furnizimin me metale të rralla, kritike për industrinë teknologjike amerikane.
Gjatë takimit të dytë në Malajzi, në kuadër të samitit të ASEAN, Hegseth theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt, por do të mbrojnë interesat e tyre dhe të aleatëve në rajonin Indo-Paqësor.
Nga ana e tij, ministri kinez Dong Jun u shpreh se bashkimi i Kinës me Tajvanin është një proces historik i pandalshëm, duke i bërë thirrje Uashingtonit të tregojë kujdes në veprimet dhe deklaratat për këtë çështje.
Të dyja palët pritet të konkretizojnë krijimin e linjave të komunikimit ushtarak në javët në vijim një sinjal se Pekini dhe Uashingtoni po tentojnë të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë në një nga rajonet më të tensionuara të botës.
