Deklaratat e Donald Trump për rifillimin e testeve bërthamore ngjallin debate globale dhe rrezikojnë shembjen e traktatit që ndalon provat bërthamore
Prej më shumë se tre dekadash, asnjë fuqí e madhe nuk ka kryer testime bërthamore me shpërthim të plotë. Por situata pritet të ndryshojë. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të rifillojnë testet bërthamore, duke pretenduar se Rusia dhe Kina po kryejnë testime të fshehta.
Deklaratat e tij u bënë fillimisht në një intervistë televizive dhe më pas u përforcuan me një njoftim të ri, sipas të cilit Departamenti i Mbrojtjes duhet të nisë përgatitjet për testime të reja në mënyrë të barabartë me vendet e tjera bërthamore.
Moskë reagoi menjëherë. Pak orë para komenteve të Trump, Presidenti Vladimir Putin kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë për të diskutuar pikërisht përgatitjet për rifillimin e testimeve në poligonet e Novaja Zemlja, në veri të Rusisë. Zyrtarët rusë mohojnë se kanë kryer testime të ndaluara, por paralajmërojnë se nëse SHBA vepron, edhe Rusia do të bëjë të njëjtën gjë.
Ndërsa SHBA dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën, Kina po rrit arsenalin e saj bërthamor dhe nuk është pjesë e kufizimeve të traktatit të fundit ende në fuqi mes Uashingtonit dhe Moskës.
Ekspertët paralajmërojnë se rifillimi i testimeve do të kishte pasoja të thella:
- Rrezikon të shkatërrojë Traktatin për Ndalesën e Testeve Bërthamore
- Nxit një garë të re armësh më agresive se ajo e Luftës së Ftohtë
- Hap rrugën për zhvillimin e armëve të reja bërthamore me kapacitet më të lartë shkatërrues
- Çon drejt një klimë të re globale pasigurie dhe përshkallëzimi ushtarak
Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer një shpërthim bërthamor që nga viti 1992, ndërsa Rusia nga viti 1990 dhe Kina nga viti 1996. Që prej atëherë, vendet kanë përdorur simulime kompjuterike dhe teste nënkritike, pa shkaktuar reaksion zinxhir të fisionit.
Megjithatë, rikthimi i testimeve të vërteta bërthamore do të sinjalizonte fundin e epokës së kontrollit ndërkombëtar të armëve dhe fillimin e një gare të re strategjike, ku fuqitë bërthamore kërkojnë jo vetëm të ruajnë arsenalin, por të demonstrojnë epërsi.
Nëse New START, traktati që kufizon arsenalet e SHBA dhe Rusisë, skadon vitin e ardhshëm pa zëvendësim, bota mund të përballet me një periudhë të re pa kufizime bërthamore – me testime, modernizime dhe kërcënime të hapura për përdorim.
Rreziku nuk është vetëm ushtarak. Ekspertët paralajmërojnë se testimet në shkallë të gjerë mund të ndikojnë mjedisin, shëndetin publik dhe stabilitetin global për dekada.
Bota hyn sërish në një kohë ku retë në formë kërpudhe nuk janë më vetëm kujtim i historisë.
