
Presidenti amerikan deklsron se kontrolli i Grenlandës është jetik për mbrojtjen strategjike të SHBA, ndërsa Kopenhaga dhe BE reagojnë ashpër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka deklaruar se SHBA ka nevojë për Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare dhe jo për burimet minerare, duke rindezur tensionet diplomatike me Danimarkën dhe Bashkimin Europian. Deklarata u bë gjatë një prononcimi për mediat në Palm Beach, Florida.
Tramp theksoi se prania në rritje e anijeve ruse dhe kineze përgjatë brigjeve të Grenlandës përbën një kërcënim serioz strategjik për interesat amerikane. Sipas tij, kontrolli mbi territorin arktik është i domosdoshëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe të aleatëve të SHBA.
Këto deklarata vijnë një ditë pasi Tramp emëroi guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar të posaçëm për Grenlandën. Emërimi është shoqëruar me kritika të forta nga autoritetet daneze dhe vetë Grenlanda, e cila është territor autonom nën sovranitetin e Danimarka.
Landry ka deklaruar publikisht se është i gatshëm të punojë për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA, një qëndrim që ka përshkallëzuar reagimet politike në Evropë. Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, ka shprehur indinjatë, duke paralajmëruar Uashingtonin të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Danimarkës.
Në mbështetje të Kopenhagës ka dalë edhe Bashkimi Europian, i cili ka theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare. Udhëheqësit europianë kanë deklaruar solidaritet të plotë me Danimarkën përballë deklaratave të presidentit amerikan.
Grenlanda, territor me rëndësi të madhe strategjike në Arktik, prej vitesh është në qendër të interesave gjeopolitike globale, ndërsa qëndrimi i fundit i Tramp pritet të thellojë edhe më tej përplasjet diplomatike mes SHBA dhe aleatëve europianë.
