
Tramp kryeson këshillin strategjik për të ardhmen e Gazës, mes anëtarëve edhe diplomati ballkanas Nikolay Mladenov
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar zyrtarisht krijimin e Këshillit të Paqes për Gazën, një strukturë e re strategjike që do të ketë rol kyç në planifikimin politik, ekonomik dhe të sigurisë për fazën pas konfliktit në enklavën palestineze. Këshilli do të drejtohet personalisht nga presidenti i SHBA-së, Donald Tramp.
Sipas deklaratës zyrtare, në përbërje të këtij këshilli janë përfshirë figura të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare, mes tyre Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, si dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.
Pjesë e Këshillit të Paqes për Gazën është gjithashtu edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, një emër i njohur për angazhimin e tij të mëparshëm në proceset diplomatike në Lindjen e Mesme.
Në strukturë përfshihen edhe figura të rëndësishme nga fusha ekonomike dhe financiare, si miliarderi dhe sipërmarrësi Mark Rowan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe këshilltari politik Robert Gabriel. Ndërkohë, komandën e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit që pritet të vendoset në Gaza do ta marrë gjeneralmajori Jasper Jeffers.
Një rol të veçantë në këtë strukturë do të ketë diplomati bullgar Nikolay Mladenov, i cili është emëruar si Përfaqësues i Lartë për Gazën. Mladenov, i njohur për përvojën e tij në rajon dhe angazhimin në çështjet e Lindjes së Mesme, pritet të jetë figurë kyçe në zbatimin e fazës së dytë të planit amerikan për përfundimin e luftës.
Në të njëjtën kohë, në Kajro ka nisur zyrtarisht punën komisioni teknokratik palestinez, i cili do të administrojë përkohësisht Rripin e Gazës. Sipas burimeve të Agjencisë Franceze të Lajmeve, në mbledhjen e parë të këtij komisioni kanë marrë pjesë Jared Kushner dhe Nikolay Mladenov, duke konfirmuar koordinimin e drejtpërdrejtë mes strukturave amerikane dhe administratës së përkohshme palestineze.
Krijimi i Këshillit të Paqes për Gazën shihet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet e SHBA-së për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie dhe qeverisjeje në rajon, në një moment kritik për të ardhmen e Gazës dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme.
