
Kombëtarja amerikane nis turneun në shtëpi me besim dhe objektiva të larta, por paralajmërimet e brendshme janë të qarta: shorti duket i mirë vetëm në letër.
Shorti i Kupës së Botës 2026 i ka vendosur Shtetet e Bashkuara në Grupin D, ku përballë do të kenë Paraguajin, Australinë dhe skuadrën që do të dalë nga play-off-i mes Turqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Kosovës. Për amerikanët, që luajnë turneun në tokën e tyre, grupi shihet si një mundësi reale për kalimin e fazës në eliminatore.
SHBA do të hapë garën më 12 qershor në Los Angeles kundër Paraguajit, kundërshtar të cilin e ka mposhtur vetëm një muaj më parë. Ndeshja e dytë, pas një jave, vjen ndaj Australisë në Seattle edhe një rival që amerikanët e kanë fituar së fundmi në miqësore. Megjithatë, trajneri Mauricio Pochettino dhe lojtarët theksojnë se rezultatet e kaluara nuk garantojnë asgjë në një Botëror ku çdo detaj mund të jetë përcaktues.
Edhe trajneri australian Tony Popovic i dha favoritizim SHBA-së për kreun e grupit, ndërsa futbollistë amerikanë si Tim Ream dhe Tyler Adams shprehën optimizëm të matur. Objektivi është i qartë: të shkojnë sa më larg, ndonëse askush nuk e quan këtë rrugëtim të sigurt.
Paraguaji rikthehet në Botëror për herë të parë pas vitit 2010 dhe njihet për mbrojtje të fortë. Australia vjen pas një kualifikimi të vështirë, ndërsa Turqia – favorita e play-off-it, ka emra të spikatur si Arda Güler dhe Kenan Yıldız, si dhe një fitore ndaj SHBA-së në miqësoren e verës së kaluar.
Ceremonia e shortit në Washington pati ngjyra të forta amerikane, me Donald Tramp në skenë, deklarata të bujshme dhe atmosferë showbizi përpara se çikati final i grupeve të binte. Tani numërimi ka nisur: 188 ditë deri në sfidën e parë dhe një komb i tërë në pritje.
SHBA synon jo vetëm kalimin e grupit, por edhe të ushqejë ëndrrën më të madhe: një Botëror historik në shtëpi.
