
Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur legjislacionin e ri të Indisë në fushën e energjisë bërthamore, të njohur si projektligji SHANTI 2025, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit energjetik dhe bashkëpunimit civil paqësor bërthamor mes dy vendeve.
Reagimi erdhi një ditë pasi presidentja e Indisë, Droupadi Murmu, i dha miratimin ligjit “Sustainable Harnessing and Advancement of Nuclear Energy for Transforming India”, i njohur shkurt si SHANTI Bill 2025, i cili u miratua javën e kaluar nga Parlamenti indian.
Në një postim në rrjetin social X, Ambasada e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në India deklaroi:
Ne e mirëpresim projektligjin e ri SHANTI të Indisë, një hap drejt një partneriteti më të fortë për sigurinë energjetike dhe bashkëpunimit civil paqësor bërthamor. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin inovacion të përbashkët dhe kërkim-shkencor në sektorin e energjisë.
Projektligji SHANTI parashikon reforma të thella në arkitekturën civile bërthamore të Indisë, duke zëvendësuar Aktin e Energjisë Atomike të vitit 1962, i cili kishte mbetur pothuajse i pandryshuar për dekada. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është hapja e sektorit civil bërthamor për kompanitë private për herë të parë, një sektor që deri tani ishte menaxhuar kryesisht nga ndërmarrje shtetërore.
Ligji i ri i jep gjithashtu status ligjor Autoritetit Rregullator të Energjisë Atomike, vendos një sistem të qartë licencimi dhe parashikon krijimin e një gjykate të specializuar për çështjet bërthamore, me qëllim trajtimin e mosmarrëveshjeve në këtë fushë.
SHANTI Bill specifikon se licencat mund t’u jepen institucioneve shtetërore, kompanive publike, shoqërive tregtare, ndërmarrjeve të përbashkëta, si edhe subjekteve të tjera që autorizohen shprehimisht nga qeveria qendrore indiane.
Ky zhvillim shihet si një vazhdim i bashkëpunimit strategjik mes Indisë dhe SHBA-së në fushën bërthamore civile, i nisur afro dy dekada më parë me marrëveshjen historike Indi–SHBA për energjinë bërthamore, e cila i dha fund izolimit bërthamor të Indisë dhe hapi rrugën për bashkëpunim ndërkombëtar në këtë sektor.
