
Administrata amerikane po shqyrton opsione ushtarake ndërsa regjimi iranian shpall gatishmëri për luftë dhe kërcënon me kundërpërgjigje ndaj objektivave amerikane
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, me mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane që mund të ndodhë brenda pak orësh. Sipas burimeve pranë administratës amerikane, presidenti Donald Tramp do të informohet për opsione konkrete ushtarake dhe mund të marrë një vendim të menjëhershëm, në një moment kur regjimi iranian përballet me protestat më të rënda të dekadave të fundit.
Tramp ka deklaruar se Irani po i afrohet një vije të kuqe, duke e lidhur situatën me represionin e dhunshëm ndaj protestuesve civilë. Sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut me bazë në SHBA, qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë shtypjes së protestave që kanë përfshirë thuajse të gjithë vendin.
Demonstratat nisën si reagim ndaj rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike, por shpejt u shndërruan në thirrje të hapura për largimin nga pushteti të udhëheqjes aktuale. Në disa qytete janë raportuar përplasje të dhunshme, zjarrvënie dhe bllokim i rrjeteve të internetit, masa që autoritetet i kanë marrë për të frenuar mobilizimin e qytetarëve.
Nga ana e saj, Teherani zyrtar ka paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të pasohet nga një kundërpërgjigje e ashpër. Ministri i Jashtëm iranian ka deklaruar se vendi nuk kërkon luftë, por është plotësisht i përgatitur për të, ndërsa janë përmendur edhe lista objektivash amerikane që mund të goditen në rast përshkallëzimi.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka rritur retorikën kundër SHBA-së, duke e paraqitur presionin amerikan si pjesë të një komploti për rrëzimin e regjimit. Paralelisht, autoritetet iraniane kanë organizuar edhe tubime mbështetëse për qeverinë, ku janë dëgjuar thirrje kundër Amerikës dhe Perëndimit.
Kriza ka nxitur reagime edhe në arenën ndërkombëtare. Kina ka bërë thirrje për mosndërhyrje dhe shmangie të forcës, ndërsa Gjermania dhe Kanadaja kanë dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të represionit.
Situata në Iran po cilësohet si sfida më serioze për regjimin islamik që nga revolucioni i vitit 1979. Me ekonominë në rënie të lirë, monedhën e zhvlerësuar dhe pakënaqësinë popullore në rritje, çdo vendim i ardhshëm i Uashingtonit pritet të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për rajonin, por për gjithë ekuilibrat globalë.
