Administrata e presidentit Donald Trump po përgatitet të shtrëngojë më tej kontrollet ndaj vizitorëve të huaj që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar që aplikantët të dorëzojnë pesë vitet e fundit të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale përpara se të lejohen të hyjnë në vend.
Sipas një propozimi të depozituar të martën nga Shërbimi Amerikan i Doganave dhe Kufirit (CBP), kontrollet e reja do të aplikohen për të gjithë ata që kërkojnë të marrin autorizimin elektronik të udhëtimit (ETA). Ky autorizim u mundëson qytetarëve nga 42 vende të udhëtojnë në SHBA për deri në 90 ditë pa vizë.
Kërkesa e re pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, në një periudhë kur pritet një fluks i madh vizitorësh nga e gjithë bota për shkak të organizimit të ndeshjeve të Botërorit të Futbollit në SHBA.
Aktualisht, aplikantët e programit të heqjes së vizave duhet të paraqesin adresën e banimit, numrin e telefonit, email-in, një kontakt emergjence dhe të paguajnë një tarifë prej 40 dollarësh. Por me ndryshimet e reja, lista e detyrimeve zgjerohet dukshëm: aplikantët do të duhet të deklarojnë të gjitha numrat personalë dhe të biznesit të përdorur në pesë vitet e fundit, adresat e email-it personal dhe të biznesit të përdorura gjatë dekadës së fundit, si dhe të dhënat e anëtarëve të familjes së ngushtë, emrin, datën e lindjes, vendlindjen dhe adresën.
Po ashtu, aplikantët do t’i nënshtrohen një kontrolli të detajuar të aktivitetit të tyre online, një procedurë që administrata Trump e ka zbatuar tashmë për mbajtësit e vizës H-1B dhe familjarët e tyre. Edhe studentët e huaj, profesorët, studiuesit dhe pjesëmarrësit në programe kulturore ose shkëmbime akademike tashmë kalojnë përmes të njëjtit proces.
Në një udhëzim të Departamentit të Shtetit, zyrtarëve u kërkohet të verifikojnë çdo shenjë të “armiqësisë ndaj qytetarëve, kulturës, institucioneve ose parimeve themeluese të SHBA-së”, si edhe çdo mbështetje të mundshme për terrorizëm, kërcënime të sigurisë kombëtare apo përmbajtje antisemitike të paligjshme.
Krahas këtyre masave, që prej 1 tetorit administrata ka vendosur edhe një tarifë shtesë prej 250 dollarësh për aplikantët nga vende si Brazili, Kina, India dhe Meksika, shtete që nuk janë pjesë e programit të heqjes së vizave.
Kritikët e shohin këtë nismë si një zgjerim drastik të mbikëqyrjes ndaj vizitorëve të huaj, ndërsa mbështetësit argumentojnë se masat e reja synojnë rritjen e sigurisë kombëtare në një kohë tensionesh dhe kërcënimesh të vazhdueshme ndaj SHBA-së. Në çdo rast, udhëtarët e ardhshëm duhet të përgatiten për kontrolle më të gjera dhe procedura më të gjata verifikimi përpara se të marrin lejen për të hyrë në vend.
