
Programi amerikan synon rritjen e sigurisë për prokurorët që drejtojnë hetimet më të ndjeshme në vend
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një program të posaçëm trajnimi për truprojat e prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, përfshirë edhe personelin e sigurisë që shërben pranë drejtuesit Altin Dumani. Trajnimi po zhvillohet në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit në Budapest, e njohur si një ndër qendrat më prestigjioze për përgatitjen e strukturave të rendit dhe sigurisë.
Sipas të dhënave zyrtare, pjesë e këtij programi janë edhe truprojat e disa zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare, të cilët po trajnohen në teknika të avancuara për menaxhimin e rreziqeve, taktika mbrojtëse, reagimin ndaj kërcënimeve dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes fizike.
Ky kurs vjen në një moment kur SPAK ndodhet nën presion të shtuar për shkak të dosjeve të nivelit të lartë dhe rritjes së masave të sigurisë për prokurorët që hetojnë çështjet më të ndjeshme në vend.
Trajnimi i ofruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit shqiptar, ndërsa bashkëpunimi me SHBA-në shihet si pjesë e përforcimit të sigurisë institucionale përballë kërcënimeve në rritje ndaj zyrtarëve të përfshirë në luftën kundër korrupsionit.
