
Sekretari i Marinës amerikane paralajmëron se SHBA po mbetet pas Kinës, ndërsa prezantohet iniciativa e re e quajtur Golden Fleet me luftanije të klasit Tramp
Programet amerikane të ndërtimit të anijeve luftarake janë në gjendje të rëndë, me vonesa dhe kosto që tejkalojnë parashikimet, ka deklaruar Sekretari i Marinës së SHBA-së, John Phelan, duke prezantuar iniciativën e re të presidentit Donald Tramp, të quajtur Flota e Artë.
Duke folur në simpoziumin e Shoqatës së Marinës Sipërfaqësore, Phelan u shpreh se për të qenë superfuqi nevojitet një forcë ushtarake dominuese, një ekonomi e fortë dhe aftësia për të prodhuar. Ai theksoi se SHBA nuk mund të mbajë pushtetin detar global pa një bazë industriale të fuqishme dhe se ndërtimi aktual i anijeve është një rrëmujë e vërtetë, jashtë afateve dhe mbi buxhet.
Sipas tij, këto janë të vërteta të pakëndshme, por të domosdoshme për t’u pranuar, sidomos përballë konkurrencës strategjike të Kinës. Phelan vuri në dukje se Kina ka rreth 100 milionë punëtorë në sektorin e prodhimit, ndërsa SHBA më pak se 13 milionë, duke krijuar një hendek të madh në kapacitetet industriale.
Ai paralajmëroi se kjo nuk është një sfidë e së ardhmes, por një realitet që po ndodh tani. Duke bërë krahasime me mobilizimin industrial gjatë Luftës së Dytë Botërore, Phelan theksoi se Uashingtoni duhet të kalojë në një mentalitet të ngjashëm me kohë lufte.
Sipas Sekretarit të Marinës, Kina ka qenë e qartë për ambiciet e saj për të dominuar Indo-Paqësorin, për të riformësuar rendin ndërkombëtar dhe për të zëvendësuar SHBA-në si fuqinë kryesore ekonomike dhe detare në botë. Pikërisht për të përballuar këtë sfidë, sipas tij, shërben iniciativa e Flotës së Artë.
Flota e Artë e prezantuar nga Donald Tramp përfshin një luftanije të re të quajtur klasa Trump. Sipas Phelan, kjo flotë do të ndërtohet mbi një kombinim platformash të nivelit të lartë dhe të ulët, duke përfshirë aeroplanmbajtëse, shkatërruese, nëndetëse, fregata të reja, anije ndihmëse, si dhe një numër në rritje anijesh autonome dhe pa ekuipazh.
Duke iu përgjigjur kritikave se luftanija e klasit Tramp është një rikthim nostalgjik, Phelan u shpreh se ajo do të jetë një përgjigje vdekjeprurëse dhe vendimtare për konfliktet e ardhshme. Ai shtoi se kjo anije do të ndërtohet për zjarr të vazhdueshëm, mbrojtje të fortë ajrore dhe raketore, si dhe për komandimin e forcave të drejtuara dhe atyre autonome.
Sipas tij, bëhet fjalë për një anije të projektuar jo vetëm për të ndalur sulmet, por për të neutralizuar burimin e tyre, duke e konsideruar Flotën e Artë si një element kyç në strategjinë e ardhshme detare të Shteteve të Bashkuara.
