
Pamjet e filmuara nga vetë agjenti federal ndezin debat të fortë në SHBA, konservatorët flasin për vetëmbrojtje, ndërsa kritikët e hedhin poshtë këtë version
Një video 47-sekondëshe, e publikuar nga media konservatore Alpha News, ka rikthyer në qendër të debatit vrasjen e Renee Nicole Good, 37 vjeçe, e qëlluar për vdekje nga një agjent i policisë federale të emigracionit ICE më 7 janar në Minneapolis. Pamjet janë regjistruar nga kamera personale e agjentit Jonathan Ross dhe tashmë po përdoren nga kampi konservator si provë se ai ka vepruar në vetëmbrojtje, një pretendim që kundërshtohet fuqishëm nga një pjesë e madhe e opinionit publik dhe aktivistëve.
Në video shihet agjenti duke dalë nga automjeti i tij dhe duke iu afruar makinës së Renee Good, e ndaluar në mes të rrugës. Brenda automjetit dallohen shenja qetësie, ndërsa Renee, me një krah të mbështetur te dritarja e hapur, i drejtohet agjentit me fjalët: nuk ka problem, nuk ju mbaj mëri. Në sfond dëgjohen sirena policie, ndërsa situata duket e tensionuar, por jo e dhunshme në ato çaste.
Në skenë ndërhyn edhe bashkëshortja e saj, Rebecca Good, e cila zbret nga makina dhe fillon ta filmojë agjentin me telefonin e saj. Ajo i drejtohet atij me tone provokuese, duke kërkuar që të tregojë fytyrën dhe duke theksuar se Renee është qytetare amerikane dhe ish-ushtarake. Fjalët e saj shtojnë tensionin, ndërsa në video dëgjohen edhe agjentë të tjerë federalë që po afrohen nga ana tjetër e automjetit.
Sipas The New York Times, në momentet pasuese dëgjohen urdhra për të dalë nga makina, çka shënon edhe pikën kur situata përshkallëzohet dhe përfundon me të shtënat fatale. Pikërisht këtu ndahen interpretimet: mbështetësit e agjentit pretendojnë se ai u ndje i kërcënuar dhe reagoi për të mbrojtur jetën e tij, ndërsa kritikët theksojnë se pamjet nuk tregojnë një rrezik të menjëhershëm që justifikon përdorimin e armës vdekjeprurëse.
Publikimi i videos ka shkaktuar protesta të reja kundër ICE në Minneapolis dhe qytete të tjera, duke thelluar ndarjen politike në SHBA. Rasti i Renee Good është shndërruar në simbol të debatit të ashpër mbi metodat e agjencive federale të emigracionit, përdorimin e forcës dhe përgjegjësinë e autoriteteve në ndërhyrje të tilla.
