Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar këtë hënë se ka revokuar mbi 100 mijë viza, për persona që kanë pasur kontakte me forcat e ligjit të SHBA-ve për aktivitet kriminal.
“Departamenti i Shtetit ka revokuar mbi 100,000 viza, duke përfshirë rreth 8,000 viza studentore dhe 2,500 viza të specializuara për individë që kanë pasur kontakte me forcat e rendit të SHBA-ve për aktivitet kriminal. Ne do të vazhdojmë të deportojmë këta kriminelë për ta mbajtur Amerikën të sigurt”, bëri me dije DASH përmes një postimi në X.
Siç raporton Fox News, kjo shifër është një rekord historik dhe më shumë se dyfishi i vizave të revokuara gjatë vitit 2024.
Vendimi vjen në kuadër të politikave të reja të administratës Trump për kontroll më të rreptë të vizave dhe sigurisë kombëtare.
Shumica e vizave të revokuara i përkasin udhëtarëve biznesi dhe turistikë që kishin tejkaluar afatin e qëndrimit. Rreth 8 studentë dhe 2 mijë e 500 punëtorë të specializuar humbën statusin e tyre ligjor, pasi sipas autoriteteve kishin pasur kontakte kriminale me forcat e rendit.
Tek punëtorët e specializuar, gjysma e revokimeve lidhen me arrestime për drejtim në gjendje të dehur, ndërsa pjesa tjetër për akuza si sulm, vjedhje, abuzim ndaj fëmijëve, shpërndarje droge dhe mashtrim financiar.
Administrata Trump ka paralajmëruar se do të vazhdojë verifikimin e vazhdueshëm të të gjithë të huajve me viza të vlefshme, përmes një qendre të re kontrolli. Gjithashtu, janë vendosur standarde më të rrepta për aplikantët e rinj, përfshirë rregullin e “ngarkesës publike” që mund të refuzojë vizat për ata që konsiderohen të varur nga përfitimet sociale.
Ndërkohë, një gjykatë federale ka sinjalizuar se do të bllokojë përkohësisht vendimin e administratës për t’i dhënë fund programeve të bashkimit familjar për shtetas nga disa vende të Amerikës Latine, duke ndikuar mijëra aplikantë.
Ky zhvillim shënon një tjetër hap të administratës Trump për të përmbysur politikat e emigracionit të administratës Biden dhe për të forcuar masat kundër emigracionit të paligjshëm.
