
Operacion komando në Atlantik me mbështetje britanike, Rusia e quan shkelje flagrante të ligjit detar ndërsa tensionet rriten pranë brigjeve të Europës
Një operacion i pazakontë ushtarak ka ndezur tensione të forta mes Perëndimit dhe Moskës, pasi forcat elitare amerikane sekuestruan në Atlantikun e Veriut cisternën e naftës Marinera, e lidhur me rrjetin rus të shmangies së sanksioneve. Moska reagoi ashpër, duke e cilësuar veprimin si akt piraterie të hapur.
Cisterna u ndalua pas një ndjekjeje dyjavore, rreth 200 kilometra në jug të Islandës, në një operacion të mbështetur edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Ministria britanike e Mbrojtjes konfirmoi se anija furnizuese RFA Tideforce dhe avionë zbulues të RAF ndihmuan drejtpërdrejt ndërhyrjen.
Operacioni u krye në stil komando, me helikopterë amerikanë që u ulën mbi kuvertë, ndërsa anija u vu nën kontrollin e forcave të SHBA. Sipas autoriteteve perëndimore, Marinera ishte pjesë e asaj që quhet flota hije ruse, e përdorur për të transportuar naftë dhe potencialisht ngarkesa të ndjeshme ushtarake në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.
Një ligjvënës i lartë rus e quajti sekuestrimin shkelje flagrante të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, duke akuzuar SHBA për përdorim force ndaj një anijeje të regjistruar ligjërisht. Reagimi vjen si një tjetër goditje politike për Vladimir Putin, në një moment kur presioni perëndimor ndaj Moskës po shtohet.
Sipas SHBA dhe Britanisë, operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë kundër shmangies së sanksioneve nga një bosht Rusi–Iran–Venezuelë, i cili sipas tyre financon konflikte dhe destabilizon sigurinë globale.
Sekuestrimi i Marineras vjen në vazhdën e bllokadës së shpallur nga Donald Tramp ndaj cisternave venezueliane, pas së cilës dhjetëra anije kanë tentuar të largohen duke përdorur taktika mashtruese si ndryshimi i emrave, fikja e sinjaleve dhe falsifikimi i të dhënave të lundrimit.
Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë konfirmuar se një tjetër cisternë e flotës hije është ndaluar pranë Karaibeve, duke sinjalizuar se operacionet detare kundër këtij rrjeti do të vazhdojnë.
