
Operacioni i katërt brenda dy javësh vjen ndërsa Donald Tramp përgatitet të presë në Shtëpinë e Bardhë lideren opozitare venezueliane, fituese të Çmimit Nobel për Paqen
Forcat amerikane kanë ndërmarrë një tjetër operacion spektakolar në Detin e Karaibeve, duke sekuestruar një cisternë nafte të lidhur me Venezuelën, pjesë e asaj që autoritetet e quajnë flotë fantazmë e sanksionuar. Pamjet dramatike tregojnë trupa amerikane që zbresin me litarë nga helikopterët dhe marrin kontrollin e anijes në mes të detit.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e SHBA, Kristi Noem, konfirmoi se cisterna Veronica kishte shkelur karantinën e vendosur nga presidenti Donald Tramp ndaj anijeve të sanksionuara në rajon dhe kishte kaluar më herët në ujërat territoriale të Venezuelës. Sipas saj, operacioni u krye në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe u realizua nga një ekip taktik i Rojës Bregdetare amerikane, me mbështetjen e marinës.
Ky është sekuestrimi i gjashtë i një cisternë të tillë dhe i katërti vetëm në dy javët e fundit, pas kapjes së Nicolás Maduros në një operacion të befasishëm. Administrata Tramp e sheh këtë strategji si mënyrë për të kontrolluar prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen globale të naftës venezueliane, si dhe për të ristrukturuar sektorin energjetik të vendit.
Ngjarja përkon me vizitën e paralajmëruar në Uashington të Maria Corina Machados, lideres së opozitës venezueliane dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen. Takimi i saj me Tramp shihet si një moment kyç për të ardhmen politike të Venezuelës, megjithëse presidenti amerikan ka shprehur më herët dyshime mbi aftësinë e saj për të udhëhequr vendin.
Ndërkohë, Tramp ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe me figura të tjera politike në Venezuelë, duke sinjalizuar një qasje pragmatike ndaj krizës së thellë që ka përfshirë vendin. Operacionet detare dhe zhvillimet diplomatike tregojnë se Venezuela mbetet një nga pikat më të nxehta të skenës ndërkombëtare në fillim të vitit 2026.
