
Lëvizja e re nga administrata Tramp trondit aleatët dhe hap debatin për balancat e sigurisë në kontinent
Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar hapur se duan që Gjermania të marrë drejtimin e forcave të NATO në Evropë, një rol që historikisht i ka takuar gjithmonë komandantëve amerikanë. Ambasadori i SHBA në NATO, Matthew Whitaker, gjatë fjalës në Berlin Security Conference, u shpreh se pret momentin kur Berlini do të deklarojë gatishmërinë për të marrë postin e Saceur, komandën më të lartë operative të Aleancës.
Deklarata e tij shkaktoi befasi mes panelistëve dhe reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesit gjerman në NATO dhe BE, gjeneralit Wolfgang Wien, i cili theksoi se Gjermania është e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi, por e konsideron pozicionin e Saceur si territor tradicional të SHBA.
Komandanti aktual i NATO-s në Evropë është gjenerali amerikan Alexus G Grynkewich, i cili mori detyrën më 4 korrik 2025. Posti konsiderohet gur themeli i arkitekturës së sigurisë euroatlantike, duke qenë në krye të gjithë operacioneve të Aleancës.
Qëndrimi i Whitaker vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po përpiqet të forcojë mbrojtjen e tij. Komisioni Evropian ka prezantuar një paketë të re prej 17.65 miliardë eurosh për të përmirësuar mobilitetin ushtarak, duke investuar në qindra pika kritike infrastrukturore që aktualisht nuk mund të përballojnë lëvizjen e shpejtë të trupave apo mjeteve të rënda.
Shefja e diplomacisë së BE, Kaja Kallas, paralajmëron se rritja e kapaciteteve mbrojtëse është mënyra më e mirë për të shmangur një konflikt të mundshëm, duke theksuar se dobësia nxit agresionin rus. Kjo dinamikë ndodh ndërkohë që administrata Trump ka vënë në pikëpyetje garancitë historike të sigurisë që SHBA ka ofruar për Evropën që prej Luftës së Dytë Botërore, duke detyruar vendet europiane të rimendojnë rolin e tyre brenda Aleancës.
