
SPAK zbulon se ish-shefi i Krimeve në Shkodër informonte për lëvizjet e bashkëshortes së njërit prej objektivëve të grupit, ndërsa urdhrat për vrasje vinin nga figura të njohura të botës së krimit.
Një dosje tronditëse me mbi 300 faqe, e dalë nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, ka ekspozuar lidhjet e errëta mes strukturave të rendit, botës së krimit dhe figurave me ndikim në politikë e biznes. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Grupi i Bajrajve”, një rrjet kriminal që, sipas SPAK, kishte arritur të rekrutonte njerëz brenda institucioneve të drejtësisë dhe policisë.
Hetimet kanë zbuluar një episod të veçantë që tregon shtrirjen e ndikimit dhe cinizmin e grupit: ndjekjen e një gruaje shtatzënë, bashkëshorte e njërit prej personave që grupi kishte planifikuar ta ekzekutonte.
Sipas përgimeve të siguruara nga SPAK, në gusht të vitit 2020, Pëllumb Gjoka, një ndër njerëzit kyç të grupit, kërkoi ndihmën e Ardit Hasanbegajt, në atë kohë shef i Krimeve në Policinë e Shkodrës, për të marrë informacion mbi lëvizjet e gruas së Dorian Dulit, një nga objektivat e grupit. Hasanbegaj, duke përdorur aksesin e tij zyrtar, informoi se gruaja kishte kaluar kufirin në Qafë Thanë dhe kishte kryer vizita mjekësore në një klinikë private në Tiranë.
Në orët e vona të natës, ai i përcolli detajet Gjokës, i cili ia dërgoi menjëherë përmes mesazhi “atach” Behar Bajrit, personi që, sipas dosjes, kishte porositur ekzekutimin e tre personave: Dorian Duli, Ibrahim Liçi dhe Genc Tafili.
Planet për atentatet ishin bërë me ndihmën e vrasësve me pagesë të ardhur nga Kosova dhe Serbia, ndërsa organizimi dhe mbledhja e informacioneve ishin ndarë mes figurave të ndryshme. Prekë Kodra kishte detyrën e sigurimit të njerëzve që do kryenin vrasjet, Aleks Ndreka ndiqte lëvizjet e viktimave, ndërsa Bardhyl Mavraj dhe Astmer Bilali kishin rolet e koordinimit dhe mbështetjes logjistike.
Në dosje, SPAK përshkruan me detaje bisedat e përgjuara, ku flitet për mënyrën e ndjekjes, momentet e mundshme të sulmit dhe vendet ku viktimat mund të kapeshin në befasi. Megjithatë, falë hetimeve intensive, skenari kriminal nuk u realizua kurrë.
Kjo histori nuk është vetëm dëshmi e brutalitetit të një grupi të strukturuar kriminal, por edhe e depërtimit të tij në institucione që duhet të mbronin qytetarët. Rasti i Ardit Hasanbegajt, që nga detyra e shefit të Krimeve përfundoi i hetuar për bashkëpunim me bandat, është simbol i asaj që drejtësia shqiptare përpiqet ende të çrrënjosë: bashkëjetesën mes pushtetit dhe krimit.