Partia Mundësia do të zhvillojë nesër një tryezë dhe bashkëbisedim të hapur me qëllim krijimin e një platforme dhe strategjie opozitare për të mbrojtur Drejtësinë nga sulmet prej mazhorancës.
I ftuar në një emision televiziv, kryetari i forcës politike, njëkohësisht deputeti Agron Shehaj, tha se në tryezë do diskutohet hapur për të dalë në krah të SPAK-ut që po godet aferat korruptive të zyrtarëve dhe qeveritarëve, teksa mazhoranca po përpiqet të mbrojë zv/kryeministren Belinda Balluku.
“Të korruptuarit po dalin para drejtësisë dhe ky është moment historik. Por ajo që vihet re është se po sulmojnë drejtësinë dhe SPAK-un që janë në momente historike dhe po godasin korrupsionin në Shqipëri. Këtë qëllim ka tryeza e nesërme, për të mbrojtur drejtësinë”, u shpreh Shehaj.
Deputeti ngriti pyetjen se përse të mos arrestohet zv/kryeministrja balluku apo të pezullohet nëse ka kryer korrupsion apo ka abuzuar me detyrën.
Ai dënoi qasjen e kryeministrit Rama që jo vetëm i bën presion drejtësisë publikisht, por mbron edhe vartësen e tij të pandehur dhe të marrë nën masë sigurie nga GJKKO me pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit, për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe.
“Nëse zv/kryeministrja vjedh, abuzon e shpërdoron, nuk mund të arrestohet? Nuk mund të pezullohet apo hetohet? Pse, janë mbi ligjin ata, a është mbi ligjin zv/kryeministrja Balluku apo kryeministri Rama? Askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe të gjithë duhet të hetohen”, u shpreh ligjvënësi opozitar.
Si një nga denoncuesit e aferave korruptive të dyshuara të numrit dy të qeverisë, Shehaj vuri theksin tek dalja në krah të drejtësisë masivisht, opozitarë dhe qytetarë, ndaj edhe në tryezën e nesërme Partia Mundësia ka thirrur faktori opozitar për diskutim.
“Ka ardhur koha që të vendosim se me kë jemi, me drejtësinë apo me korrupsionin. Vendi është në moment shumë të rëndësishëm. Ky është edhe momenti për të diskutuar edhe me partitë opozitare. Nesër do mbajmë edhe një tryezë për platformën e mbrojtjes së drejtësisë, një strategji për ta mbrojtur drejtësinë”, tha ai.
