Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të shkelin ligjin dhe të bëjnë publike dosjen prej 16 mijë faqesh me prova dhe fakte mbi bazën e të cilave SPAK kërkon arrestimin e zv.kryeministres.
Në një kohë kur PD kërkon nga kryetari i Kuvendit të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për t’i hapur rrugë arrestimit të Belinda Ballukut, Shehaj u kujton përfaqësuesve të opozitës se kryeministri Edi Rama është duke e bllokuar këtë proces në shkelje të ligjit.
Jo vetëm kaq sipas Shehajt, i cili thekson edhe se Edi Rama do vijojë të ndalojë zbatimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zv kryeministres sepse “e di shumë mirë që pas Ballukut e ka rradhën ai”.
“Pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve kanë të paktën dy javë që e kanë këtë dosje dhe duhet ta bëjnë publike sepse është e vërtetë që shkelin ligjin por në fund të fundit edhe një protestues kur përplaset me policinë shkel ligjin.
Dhe mos harrojmë që Edi Rama po shkel ligjin duke mos lejuar arrestimin e Belinda Ballukut.
Dhe nuk ka asgjë të keqe nëse përfaqësuesit e opozitës shkelin ligjin në interes të qytetarëve shqiptarë”, shprehet kryetari i Partisë Mundësia.
Shehaj ka edhe një sugjerim për anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve, që dosjen me 16 mijë faqe prova dhe fakte kundër Ballukut, t’ua japin mediave, “nëse nuk duan të shkelin ligjin në interes të qytetarëve shqiptarë”.
Reagimi i plotë i Agron Shehajt:
Ka ardhur momenti që deputetët e opozitës të shkelin ligjin. Duhet të bëjnë publike dosjen me 16 mijë faqe me fakte dhe prova që tregojnë që Belinda Balluku është e korruptuar dhe duhet të arrestohet.
Pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve kanë të paktën dy javë që e kanë këtë dosje dhe duhet ta bëjnë publike sepse është e vërtetë që shkelin ligjin por në fund të fundit edhe një protestues kur përplaset me policinë shkel ligjin
Dhe mos harrojmë që Edi Rama po shkel ligjin duke mos lejuar arrestimin e Belinda Ballukut.
Dhe nuk ka asgjë të keqe nëse përfaqësuesit e opozitës shkelin ligjin në interes të qytetarëve shqiptarë.
Nëse nuk duan ta bëjnë ata, le t’ja kalojnë këto informacione, këtë dosje me 16 mijë faqe mediave, dhe merren mediat.
Sepse nuk mund të presim që Edi Rama të lejojë arrestimin e Belinda Ballukut.
Nuk ka për ta bërë kurrë sepse e di shumë mirë që pas Belinda Ballukut rradhën e ka ai.
