
Pas afatit 48-orësh të vendosur nga qeveria franceze, kompania hoqi nga platforma produktet e ndaluara, por mbetet nën hetim dhe rrezikon bllokim gjyqësor.
Qeveria franceze ka vendosur të tërhiqet nga procedura e pezullimit administrativ të platformës Shein, e cila ishte urdhëruar të hiqte brenda 48 orësh një sërë produktesh të paligjshme të ofruara nga shitës të palëve të treta. Sipas autoriteteve, kompania ka paraqitur prova se ka zbatuar kërkesën dhe ka hequr produktet e ndaluara, ndër të cilat ishin artikuj me përmbajtje të papranueshme dhe armë të kategorisë së kufizuar.
Megjithatë, Shein nuk është jashtë rrezikut. Ndaj saj vijon procedura gjyqësore e nisur nga Ministria e Brendshme, e cila synon bllokimin e plotë të faqes në Francë, për shkak të shkeljeve të përsëritura të ligjit dhe rrezikut të dëmtimit të rendit publik.
Aktualisht, kompania ka pezulluar funksionin e marketplace në territorin francez dhe vazhdon të shesë vetëm produkte të markës së saj, duke ndaluar përkohësisht shitjen e mallrave që vijnë nga shitës të jashtëm.
Qeveria ka njoftuar gjithashtu se brenda ditëve në vijim do të ndërmarrë procedura të ngjashme edhe ndaj platformave të tjera, përfshirë AliExpress, ku janë identifikuar produkte të paligjshme. Sipas autoriteteve, kjo është pjesë e një fushate më të gjerë për kontrollin e tregtisë online dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
