Pas zbulimit të kukullave seksuale me pamje fëmijësh në platformën e saj, gjiganti i tregtisë online Shein deklaron se do të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë franceze dhe do të japë emrat e blerësve nëse kërkohet zyrtarisht.
Kompania kineze Shein ndodhet në qendër të një skandali të rëndë pas publikimit të lajmeve për shitjen e kukullave seksuale me pamje fëmijësh në platformën e saj të tregtisë online. Lajmi, i publikuar më 31 tetor, ka shkaktuar indinjatë të gjerë në Francë, ku autoritetet kanë kërkuar hetime të menjëhershme dhe ndëshkime për personat e përfshirë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Shein në Francë, Quentin Ruffat, tha se kompania do të bashkëpunojë pa rezerva me autoritetet hetimore:
Ne do të bashkëpunojmë 100% me drejtësinë. Nëse na kërkohet dorëzimi i të dhënave të blerësve të këtyre produkteve, do t’i japim menjëherë, tha Ruffat për RMC.
Reagimi i tij vjen pas kërkesës publike të Sarah El Haïry, Komisionere e Lartë për Çështjet e Fëmijëve në Francë, e cila kërkoi që blerësit e këtyre objekteve pedopornografike të kontrollohen dhe t’u nënshtrohen hetimeve sociale, duke paralajmëruar se këto produkte mund të çojnë në akte konkrete abuzimi.
Shein ka pranuar një dështim të brendshëm në sistemin e kontrollit të produkteve që publikohen në tregun e saj online, duke theksuar se kukullat nuk ishin të prodhuara nga vetë kompania, por nga shitës të palëve të treta që përdorin platformën për të shitur produktet e tyre.
Kompania tha se është në proces të krijimit të një njësie të posaçme për filtrimin dhe monitorimin e produkteve që mund të përbëjnë rrezik moral ose ligjor. Kemi nisur një verifikim të brendshëm dhe po forcojmë mekanizmat për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen, shtoi Ruffat.
Skandali ka ringjallur debatin mbi mungesën e kontrollit në platformat e tregtisë online, ku shpesh qarkullojnë produkte të ndaluara, të rrezikshme ose me përmbajtje të paligjshme.
Autoritetet franceze po shqyrtojnë mundësinë e ndëshkimeve të ashpra ndaj Shein dhe platformave të tjera si Temu, AliExpress dhe Wish, të cilat janë përfshirë në raste të ngjashme. Rasti Shein ngre sërish pyetje serioze mbi përgjegjësinë ligjore të gjigantëve të tregtisë elektronike për përmbajtjen që lejojnë të shitet në faqet e tyre.
