Shembja e masivit të gurëve në aksin Librazhd-Qafë Thanë ka shkaktuar një situatë kaotike, ku automjetet prej orësh qëndrojnë të bllokuara.
Mes mjeteve ishte edhe një ambulancë, e cila po transportonte një pacient të sëmurë.
Gruaja po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit, ndërsa stafi mjekësor ka ndërhyrë duke e nxjerrë me barelë nga ambulanca dhe duke e kaluar në anën tjetër të rrugës përmes lumit pranë aksit, për të vazhduar transportin dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.
Në aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali, qarkullimi i automjeteve është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet.
Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
