
Studimi i madh ndërkombëtar zbulon katër faktorë kyç që lidhen me 99 për qind të rasteve kardiovaskulare dhe thekson se rreziku rrallë vjen pa paralajmërim
Pothuajse çdo person që pëson infarkt, goditje në tru apo insuficiencë kardiake ka shfaqur shenja paralajmëruese shumë kohë përpara ngjarjes së parë, sipas një studimi të gjerë shkencor të publikuar së fundmi. Të dhënat tregojnë se mbi 99% e pacientëve kishin të paktën një faktor rreziku mbi nivelet e shëndetshme vite përpara episodit kardiovaskular.
Studiuesit identifikojnë katër faktorë kryesorë që lidhen drejtpërdrejt me shumicën dërrmuese të rasteve: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i rritur, sheqeri i lartë në gjak dhe pirja e duhanit. Gjetjet bazohen në analizën e dosjeve mjekësore të mbi nëntë milionë të rriturve në Korenë e Jugut dhe mijëra pacientëve në Shtetet e Bashkuara.
Presioni i lartë i gjakut rezulton faktori më i shpeshtë, duke u konstatuar te më shumë se 90 % e pacientëve përpara infarktit apo goditjes në tru. Edhe grupet që tradicionalisht konsiderohen me rrezik më të ulët, si gratë nën moshën 60 vjeç, rezultojnë të prekura në përqindje shumë të larta.
Ekspertët theksojnë se ideja se sëmundjet e zemrës godasin papritur dhe pa shenja nuk qëndron. Përkundrazi, rreziku ndërtohet gradualisht dhe mund të identifikohet herët përmes kontrolleve të thjeshta mjekësore. Hipertensioni dhe çrregullimet e kolesterolit shpesh nuk japin simptoma, por dëmtojnë enët e gjakut me kalimin e viteve, duke çuar në bllokime fatale.
Sipas specialistëve, mijëra jetë mund të shpëtohen çdo vit nëse njerëzit kryejnë rregullisht matje të presionit të gjakut, kontrollojnë nivelin e sheqerit dhe kolesterolit, heqin dorë nga duhani dhe adoptojnë një stil jetese më aktiv. Ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt dhe kufizimi i kripës e alkoolit konsiderohen hapa kyç për uljen e rrezikut.
Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë, duke marrë miliona jetë çdo vit. Studimi i fundit forcon mesazhin se parandalimi është i mundur dhe se shenjat paralajmëruese nuk duhet të injorohen.
