

Autoritetet amerikane kanë zbuluar dhe shkatërruar një rrjet të sofistikuar elektronik me mbi 300 serverë SIM në zonën treshtetërore të Nju Jorkut, vetëm pak kilometra larg vendit ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Sipas Shërbimit Sekret, pajisjet e instaluara përfshinin mbi 100 mijë karta SIM dhe kishin kapacitetin të çaktivizonin kullat celulare, të ndërprisnin komunikimet e shërbimeve të emergjencës dhe madje të gjeneronin kërcënime anonime telefonike. “Rrjeti kishte potencialin të paralizonte të gjithë sistemin celular të qytetit të Nju Jorkut”, deklaroi Matt McCool, agjenti special përgjegjës për zyrën e Shërbimit Sekret në qytet.
Hetimi nisi pas një vale kërcënimesh telefonike ndaj zyrtarëve qeveritarë, përfshirë alarme për bomba. Pajisjet, sipas ekspertëve, ishin aq të fuqishme sa mund të shpërndanin mesazhe të koduara e anonime në të gjithë territorin e SHBA brenda vetëm 12 minutash.
Edhe pse nuk është identifikuar ende organizatori i rrjetit, analizat paraprake kanë zbuluar komunikime mes aktorëve të lidhur me shtete të huaja dhe individëve të njohur nga autoritetet federale si kërcënim.