
Përleshja me shkopinj dhe mjete prerëse ndodhi në lagjen Baba Rexhep, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes
Një sherr i rëndë me përdorim shkopinjsh dhe thikash është regjistruar mëngjesin e sotëm në qytetin e Sarandës, duke lënë pas dy persona të plagosur dhe disa të përfshirë në konflikt. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Baba Rexhep, ku situata ka agravuar në përleshje fizike.
Sipas të dhënave paraprake nga veprimet hetimore, shtetasit Anest Gjonca, Mikel Hoxha dhe Xhuliano Sanxhaku dyshohet se janë paraqitur në banesën e shtetasit B. Q., ku për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta dhe mjete prerëse shtetasit Enea Qorri, B. Q. dhe vetë Anest Gjonca.
Si pasojë e përleshjes janë plagosur Enea Qorri dhe Anest Gjonca, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se janë arrestuar Mikel Hoxha, 24 vjeç, dhe Xhuliano Sanxhaku, 27 vjeç, ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi Florjan Gjoncaj, i dyshuar si i përfshirë në konflikt.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprën penale plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
