
Përplasja shpërtheu në një lokal pranë spitalit të Perugias, një 27-vjeçar përfundon në spital me fraktura të shumta
Një përplasje e dhunshme mes disa shtetasve shqiptarë dhe maqedonas ka tronditur mbrëmjen e së dielës qytetin e Perugia, duke çuar në arrestimin e 11 personave dhe plagosjen e rëndë të një të riu. Ngjarja ndodhi në zonën e San Sisto, në një lokal pranë spitalit Santa Maria della Misericordia.
Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit janë të moshës 19–31 vjeç dhe me origjinë shqiptare, rumune dhe maqedonase. Të gjithë janë dërguar në burgun e Capannes, ndërsa një i mitur 17-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë. Disa prej të ndaluarve rezultojnë persona me precedentë penalë të njohur për forcat e rendit.
Hetimet paraprake tregojnë se rreth orës 18:45, dy grupe të rinjsh u përfshinë fillimisht në një debat banal, që dyshohet se nisi për shkak të një fotografie të bërë me telefon. Konflikti verbal degjeneroi shpejt në dhunë fizike, me përdorimin e shkopinjve, tavolinave dhe karrigeve të lokalit.
Në kaosin e krijuar, dy persona arritën të largoheshin me automjet dhe gjatë ikjes goditën një 27-vjeçar me origjinë maqedonase, i cili u dërgua me urgjencë në spital. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve me fraktura në gjymtyrët e poshtme dhe një prognozë rreth 30 ditë.
Në vendngjarje ndërhynë fillimisht forcat e Carabinieri, të cilat u përballën me një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, përpara se të mbërrinin përforcime nga Policia e Shtetit. Ndërhyrja e koordinuar çoi në arrestimin në flagrancë të shumicës së personave të përfshirë, ndërsa kërkimet për dy të larguarit vijojnë.
Gjatë kontrolleve, forcat e rendit sekuestruan disa shkopinj, njëri prej tyre rreth 65 centimetra i gjatë, si edhe sende të tjera të përdorura gjatë sherrit. Po ashtu, një 23-vjeçar shqiptar tentoi të fshehte çelësin e makinës në një vazo lulesh, ku u gjet edhe një dozë kokaine.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa episodi ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike në zonë dhe ka rikthyer vëmendjen te konfliktet mes grupeve të të rinjve në ambientet publike.
