Një incident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhallos, në Greqi. Një i burgosur me origjinë shqiptare është vrarë me thikë nga një tjetër i dënuar. Nga informacionet e para viktima është Jani Aliaj.
Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur në krahun e tretë të burgut, në rrethana që ende nuk janë të qarta. Viktima, ka ndërruar jetë pas plagëve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë e i improvizuar, i përdorur gjatë sulmit nga një tjetër i burgosur me kombësi greke. Jani Aliaj, rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços për hakmarrje, ngjarje kjo e ndodhur më 1 Maj të vitit 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se viktima dhe autori ishin të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasje, duke e bërë këtë ngjarje një përplasje mes dy kriminelëve me rrezikshmëri të lartë. Deri tani nuk dihet nëse shkak i incidentit ishte një konflikt i mëparshëm, hakmarrje apo edhe kushtet e vështira të paraburgimit.
Sipas mediave greke, autori i vrasjes ishte dënuar më parë për vrasjen e një shtetasi shqiptar në rrugë, në zonën e Agios Panteleimonas verën e kaluar. Dyshohet se ai është personi që vrau 47-vjeçarin shqiptar Artur Bashimi. 27-vjeçari, i cili njihet si përdorues i drogës, kishte deklaruar pas arrestimit se kishte marrë përsipër të ekzekutonte shqiptarin për një shumë prej 15.000 euro. Sot, ai dyshohet se i mori jetën një tjetër shtetasi shqiptar.
