Një 40-vjeçar shqiptar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Xhenovës, në Itali, teksa bënte biznes ilegal kokaine me metodën “delivery”, duke ua dorëzuar mallin direkt klientëve në vendin ku e kërkonin, kryesisht në banesa.
Hetimet e kryera nga oficerët e Skuadrës Fluturuese zbuluan se 40-vjeçari kishte filluar një biznes të lulëzuar të trafikut të drogës, ndonjëherë madje duke shpërndarë drogë në shtëpitë e njerëzve.
Gjatë një kontrolli pranë shtëpisë së tij, oficerët e panë të hipte në një autobus me një pako në dorë dhe e ndoqën atë deri në një pallat apartamentesh në lagjen San Fruttuoso të Xhenovës.
Kur 40-vjeçari ra ziles së derës së apartamentit ku supozohej se do të bënte shitjen, filloi bastisja. Në një përpjekje për të hequr qafe drogën, burri u përpoq shpejt ta hidhte paketën brenda apartamentit.
Kjo padyshim nuk kaloi pa u vënë re nga oficerët, të cilët e gjetën dhe e sekuestruan paketën: brenda kishte më shumë se 40 gramë kokainë, informon media italiane. Si prova u kap edhe një shumë parash.
Shqiptari i njohur tashmë për forcat e rendit për dënime të mëparshme specifike, u dërgua në stacionin e policisë për procedurat formale dhe më pas u transferua në burgun e Marassit për shqyrtim gjyqësor.
