
Ndërsa liderët botërorë përgatiten të diskutojnë planet për uljen e ndotjes, prerja masive e pemëve në zemër të Amazonës ndez debate dhe akuza për hipokrizi.
Një ngjarje e pazakontë dhe e konsideruar ironike nga shumë aktivistë mjedisorë ka shpërthyer në Brazil, ku rreth 100 mijë pemë të pyllit Amazon janë prerë për të ndërtuar një rrugë të re që do të shërbejë për mijëra pjesëmarrës të samitit klimatik COP30. Rruga katërkorsi, e shtrirë për rreth tetë milje në Belem, u ndërtua me qëllim lehtësimin e qarkullimit të delegacioneve, gazetarëve dhe përfaqësuesve politikë.
Sipas raportimeve, në samit pritet të marrin pjesë mbi 50 mijë vizitorë. Pavarësisht theksit të takimit për mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e emetimeve globale, prerja e pemëve në një nga ekosistemet më të rëndësishme të planetit ka ngritur pikëpyetje mbi koherencën e këtij eventi.
Presidenti amerikan Donald Tramp kritikoi publikisht situatën, duke e cilësuar atë si skandal dhe duke theksuar se një ngjarje në emër të klimës nuk mund të justifikohet me shkatërrim të pyjeve. Ndërkohë, ShBA nuk do të marrë pjesë zyrtarisht në samit, por disa figura politike, si guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, pritet të jenë të pranishëm.
Pylli i Amazonës njihet prej kohësh si një nga pasuritë më të mëdha natyrore në botë për aftësinë e tij në thithjen e sasisë së madhe të dioksidit të karbonit. Shkurtimi i kapaciteteve të tij natyrore mund të ndikojë negativisht në përshpejtimin e ngrohjes globale.
Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ashpra. Aktivisti kanadez Mike Hudema deklaroi se asnjë lider apo grup nuk mund të quhet mbrojtës i klimës nëse shkatërron një nga burimet kryesore të balancës natyrore të planetit.
Ngjarja ka sjellë në vëmendje kontradiktën e thellë mes deklaratave politike dhe veprimeve reale në terren, duke rihapur debatin mbi efektivitetin dhe sinqeritetin e samiteve ndërkombëtare për klimën.
