
Përshkallëzohet kriza politike më e rëndë në historinë moderne të vendit
Presidentja e Perusë, Dina Boluarte, është shkarkuar nga detyra pas një votimi të jashtëzakonshëm të zhvilluar natën mes të enjtes dhe të premtes (10–11 tetor). Vendimi u mor nga shumica e deputetëve të Parlamentit, të cilët e akuzuan për paaftësi morale të përhershme në ushtrimin e detyrës.
Kryetari i Parlamentit, José Jerí, njoftoi përfundimin e votimit me fjalët: “Shkarkimi i presidentes është miratuar.” Boluarte, 63 vjeçe, nuk mori pjesë në seancë.
Gjatë ditës, partitë kryesore parlamentare kishin depozituar pesë mocione për shkarkimin e saj, prej të cilave katër u miratuan për shqyrtim. Kjo ishte përpjekja e radhës ndaj saj, pas disa tentativave të dështuara më parë për ta larguar nga pushteti.
Dina Boluarte erdhi në pushtet në fund të vitit 2022, pas rrëzimit të presidentit Pedro Castillo, në mes të protestave të ashpra që lanë të paktën 50 viktima. Që atëherë, ajo është përballur me një impopularitet rekord dhe me një seri akuzash për korrupsion dhe mungesë transparence.
Ndër çështjet më të bujshme që kanë dëmtuar imazhin e saj është i ashtuquajturi “Rolexgate”, një skandal që përfshin ora dhe bizhuteri luksi të pashpallura në deklaratat zyrtare, si dhe një operacion estetik i fshehur ndaj publikut dhe Parlamentit në vitin 2023.
Në javët e fundit, protestat kundër qeverisë janë shtuar në kryeqytetin Lima, të nxitura nga rritja e krimit të organizuar, vrasjeve dhe zhvatjeve. Shkarkimi i Boluartes pritet të thellojë edhe më shumë krizën politike që ka përfshirë Perunë, një vend që ka ndërruar gjashtë presidentë në më pak se nëntë vjet.