
Studimi i ri identifikon katër pika kyçe: 9, 32, 66 dhe 83 vjeç, që përcaktojnë fazat më të rëndësishme të rritjes, maturimit dhe plakjes së trurit të njeriut.
Një studim i botuar në “Nature Communications” ka tronditur komunitetin shkencor duke sugjeruar se adoleshenca, e kuptuar si periudha e ndryshimeve intensive biologjike, emocionale dhe njohëse, mund të zgjasë deri në moshën 32 vjeç.
Studiuesit analizuan gati 4 mijë skanime të trurit nga persona deri në 90 vjeç dhe zbuluan se truri ynë kalon në pesë faza të veçanta, të shënuara nga katër “piketa kritike”: 9, 32, 66 dhe 83 vjeç.
Pesë fazat e zhvillimit të trurit
Sipas studimit, truri ynë ndahet në këto epoka biologjike:
-
Fëmijëria (0–9 vjeç)
Periudha e rritjes së shpejtë të masës gri dhe asaj të bardhë, si dhe e formimit të sinapseve. Puberteti nis proceset hormonale dhe neurologjike të thella. -
Adoleshenca (9–32 vjeç)
Fillon me pubertetin, por përfundon shumë më vonë se sa besohej më parë. Deri në moshën 32 vjeç, personaliteti, inteligjenca dhe lidhjet e trurit stabilizohen plotësisht. Në këtë periudhë thonë studiuesit, ndodhin ndryshimet më të thella strukturore — shpesh të lidhura edhe me rreziqe më të larta për çrregullime mendore. -
Mosha e rritur (32–66 vjeç)
Truri hyn në fazën e stabilitetit, me ritme më të ngadalta evoluimi. Kjo periudhë përkon me “pllajën” e personalitetit dhe inteligjencës. -
Plakja e hershme (66–83 vjeç)
Shfaqen ndryshime të lehta të lidhjes së zonave të trurit për shkak të uljes së cilësisë së materialit të bardhë. Fillojnë rreziqet për demencë dhe rënie njohëse. -
Plakja e vonë (83+ vjeç)
Tregohet rënie e dukshme e lidhjeve të trurit dhe funksioneve njohëse, megjithëse të dhënat janë më të pakta për shkak të numrit të kufizuar të pjesëmarrësve
Gjetjet sfidojnë përkufizimin klasik të adoleshencës, zakonisht 10–19 vjeç sipas OBS dhe hapin rrugën për një kuptim të thelluar të mënyrës se si zhvillohet truri dhe pse disa periudha të jetës janë më të cenueshme.
Prof. Duncan Astle nga Universiteti i Kembrixhit theksoi se ky studim ndihmon të kuptojmë jo vetëm zhvillimin, por edhe rrezikshmërinë e trurit ndaj çrregullimeve mendore ose ndryshimeve të mëdha të sjelljes.
Me pak fjalë: adoleshenca biologjike nuk përfundon në shkollë të mesme – por vazhdon deri në fillim të të tridhjetave.
