
Lloji i ri i bletës u emërua sipas serialit “Lucifer” për shkak të formës së pazakontë të kokës dhe u zbulua pranë një luleje të rrezikuar nga zhdukja
Shkencëtarët në Australi kanë zbuluar një lloj të ri blete me pamje të pazakontë, të cilin e kanë emërtuar “Lucifer” për shkak të dy brirëve të veçantë që mbajnë vetëm bletët femra. Ky zbulim u bë nga Dr. Kit Prendergast në Universitetin Curtin, gjatë studimeve mbi një lule të rrallë dhe të rrezikuar që rritet vetëm në zonën Bremer Ranges, në rajonin Goldfields, në Perëndim të Australisë.
Dr. Prendergast shpjegon se këto brirë janë një strukturë unike që mund të përdoret për mbledhjen e polenit, nektarit ose materialeve për ndërtimin e foleve. Pamja e tyre e pazakontë e shtyu shkencëtaren të zgjidhte emrin “Lucifer”, të frymëzuar edhe nga seriali i njohur në Netflix.
“Femra kishte këto brirë të vegjël dhe të mprehtë në fytyrë. Ishte diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë,” u shpreh ajo. Sipas saj, ky është lloji i parë i ri i kësaj grup-blete që zbulohet pas më shumë se 20 vitesh, gjë që tregon se ende ka shumë specie që shkenca nuk i ka dokumentuar.
Ekspertët paralajmërojnë se habitatet ku u zbulua bleta “Lucifer” janë të rrezikuar nga shfrytëzimi i zonave minerare dhe ndryshimet klimatike. Kjo rrit rrezikun për zhdukjen e kësaj specie të re, si dhe të lules së rrallë që ajo ndihmon të pollinojë.
Zbulimi është publikuar në Journal of Hymenoptera Research dhe përkon me fushatën vjetore australiane për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e insekteve për ekosistemin dhe prodhimin ushqimor.
