
Hulumtimi i saj revolucionar mbi rrjetet e fshehta të kërpudhave zbulon se si toka kontrollon klimën, karbonin dhe sistemet ushqimore globale
Biologia evolucionare amerikane Toby Kiers është shpallur fituese e Çmimit Tyler 2026 për Arritje Mjedisore, një vlerësim prestigjioz i njohur gjerësisht si “Nobeli i Mjedisit”, për punën e saj pionere në zbulimin e rrjeteve të padukshme të kërpudhave nën tokë, të cilat luajnë një rol kyç në jetën në Tokë.
Kiers dhe ekipi i saj kanë hedhur dritë mbi botën e nëndheshme të kërpudhave mikorizale, duke treguar se këto rrjete komplekse funksionojnë si një sistem inteligjent shkëmbimi midis bimëve dhe tokës. Përmes hartëzimit të këtyre rrjeteve në Atlasin Global të Botës Nëntokësore, studiuesit kanë zbuluar se biodiversiteti i tokës është thelbësor për ruajtjen e rezervave gjigante të karbonit dhe për stabilitetin klimatik.
Në një intervistë, Kiers theksoi se toka shpesh nënvlerësohet dhe trajtohet si diçka pa vlerë, ndërkohë që në realitet ajo përmban një univers të tërë jetësor. Sipas saj, një grusht dheu fsheh një galaktikë procesesh biologjike që mbajnë gjallë ekosistemet.
Që në moshën 19-vjeçare, Kiers u përfshi në studimin e kërpudhave, duke marrë pjesë në ekspedita shkencore në pyjet tropikale të Panamasë. Aty nisi të shtrojë pyetjen se çfarë ndodh realisht nën rrënjët e pemëve gjigante. Eksperimentet laboratorike më pas treguan se kërpudhat janë aktore aktive në një treg biologjik, duke transportuar fosfor nga zonat ku ka tepricë drejt atyre me mungesë, në këmbim të karbonit, me një sjellje që ngjan me strategjitë e tregtarëve financiarë.
Përmes dy studimeve të publikuara në revistën Nature, ekipi i saj arriti të vizualizojë këto rrjete në kohë reale, falë sistemeve robotike të imazherisë, duke bërë të dukshme një botë që deri tani ishte e padukshme për shkencën.
Kiers është gjithashtu bashkëthemeluese e Society for the Protection of Underground Networks, një iniciativë globale që synon hartëzimin dhe mbrojtjen e biodiversitetit nëntokësor. Ajo thekson se kjo bashkëpunim midis kërpudhave dhe bimëve është themeli i jetës në Tokë, pasi pikërisht kërpudhat u mundësuan paraardhësve të bimëve moderne të kolonizonin tokën miliona vite më parë.
Çmimi Tyler 2026 vlerëson jo vetëm një zbulim shkencor, por një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si njerëzimi e kupton tokën, klimën dhe të ardhmen e ushqimit global.
