Protesta e thirrur këtë të martë, më 9 dhjetor, në mbështetje të Erjon Bobës, të riut që humbi jetën gjatë një konfliktim mes adoleshentësh, mblodhi vetëm familjarët e tij të afërt.
Edhe pse pjesëmarrja ishte e vogël, atmosfera ishte e rënduar dhe plot dhimbje, ndërsa familja kërkoi transparencë të plotë dhe drejtësi për ngjarjen tragjike.
Mes të pranishmëve, halla e viktimës, e cila tha se kjo protestë nuk ishte thjesht familjare, por një thirrje e hapur për qytetarët për institucionet që të reflektojnë dhe të marrin masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Sipas saj, familja kërkon hetim të drejtë dhe të thelluar, që të cilat ngjarje të mos përsëriten dhe Erjoni të mos mbetet vetëm statistikë.
Një tjetër prind i pranishëm tha që mbështet familjen e viktimës për drejtësi.
“Mbështetim drejtësi për Erjonin, fatkeqësi e madhe, e rëndë, mjerë ata që e provojnë. Fatkeqësisht po jetojmë në një shoqëri depresive, indiferente, ku secili sheh vetëm punën e vet dhe nuk reagon për asgjë, nuk solidarizohet, nuk mbështet dhe kjo është e dhimbshme.
Nuk po rritet një brez edukativ por agresiv sepse nxënësit nuk shkojnë në shkollë me çanta, dhe kur marrin çanta nuk marrin libra e fletore, por thika e municione.”, tha qytetari që mori pjesë në protestën e sotme në Durrës.
Sjellim ndërmend se i mituri Erjon Boba u konfliktua me një grup bashkëmoshatërësh në zonën e ish-Kënetës m 25 nëntor, ku njëri prej tyre e qëlloi me thikë. Pas disa ditësh në spital në betejë për jetën, 15 vjecari ndërroi jetë më 4 dhjetor në Spitalin “Nënë Tereza”.
Kjo tragjedi të sjell ndërmend ngjarjen e rëndë që ndodhi një vit më parë në Tiranë, ku një tjetër nxënës, Martin Cani, u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Edhe autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është arrestuar dhe më 9 dhjetor pritet të shpallet vendimi ndaj tij.
