
Policia zbulon 583 bimë kanabis dhe mbi 7 kilogramë lëndë narkotike në Barbullush, operacioni Neonët çon në arrestime dhe persona në kërkim
Një operacion i gjerë policor ka çuar në goditjen e një veprimtarie të organizuar të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura në qarkun e Shkodrës. Një 31-vjeçar është arrestuar, ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishin përshtatur dy banesa si shtëpi bari.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në pranga ka rënë shtetasi Aurel Çela, 31 vjeç, banues në Shkodër. Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit Gj. G., L. G., E. G. dhe M. G., të gjithë banues në fshatin Barbullush.
Gjatë operacionit janë ndaluar edhe tre punonjës të OSHEE, konkretisht Flogert Hila, Aleksandër Gjovalini dhe Zef Nikolli, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim, duke favorizuar aktivitetin kriminal.
Kontrollet e ushtruara në dy banesa në fshatin Barbullush kanë zbuluar ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike. Shërbimet e policisë kanë sekuestruar 583 bimë të dyshuara kanabis, 7 kilogramë e 490 gram kanabis të përpunuar, 307 pajisje elektrike të përdorura për kultivim, si dhe tre aparate celularë.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, Forcën Operacionale dhe njësitë Shqiponja, në kuadër të fazës së pestë të operacionit të koduar Neonët.
Policia bën me dije se puna vijon për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
